Gjykata e lartë në Australi ka shtyrë vendimin për apelimin e dënimit të ish-shefit të financave të Vatikanit, George Pell, për sulm seksual ndaj dy djemve gjatë viteve ’90.
Pas dy ditë argumentesh Gjykata e Lartë ka njoftuar se ende është duke shqyrtuar nëse do ta lejojë apelimin për të pastruar emrin e kardinalit 78-vjeçar, transmeton KOHA.
Nëse gjykata vendos për apelim, një panel i drejtësisë me shtatë anëtarë do të duhej të vendoste për faljen e tij apo vazhdimin e dënimit me burgim. Pell u bë njëri prej zyrtarëve më të lartë të Kishës Katolike që dënohet me burgim për abuzim seksual me fëmijë.
Në vitin 2018 gjykata e dënoi me gjashtë vjet burgim, për marrëdhënie seksuale me një të mitur dhe për katër akuza të tjera për abuzime, gjatë kohës sa ishte kryepeshkop i Melburnit.