Botë

Gjukanoviq: Do të shkoj në Srebrenicë më 11 korrik, për t’i nderuar viktimat e gjenocidit

Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq ka deklaruar se nuk dëshiron të jetë pjesë e “spektaklit nacionalist” të organizuar prej Milorad Dodikut, duke paralajmëruar qysh tani se më 11 korrik do të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore në Srebrenicë.

“Dodiku është duke bërë spektakël nacionalist dhe unë nuk dua të jem pjesë e tij. Ai nuk do ta rrezikojë raportin midis Malit të Zi dhe Bosnjës. Po qe se më thërrasin, do të shkoj në Srebrenicë për përvjetor. Me pjesëmarrjen time, unë do të njoh dhe do të nderoj viktimat e gjenocidit. Kuvendi i Malit të Zi është midis të parëve që e ka miratuar Rezolutën rreth gjenocidit, unë kam thënë se ka qenë gjenocid dhe nëse duhet që këtë gjë ta konfirmoj edhe përmes pjesëmarrjes sime, atëherë do të shkoj për 25-vjetor”, ka thënë Gjukanoviqi për një televizion boshnjak, raporton Fonet, transmeton Koha.net.

Gjukanoviqi ka thënë se në Bosnjë nuk do të vijë më 2 dhe 3 mars, ndonëse ka marrë ftesë prej dy anëtarëve të presidencës boshnjake.