Botë

GJNP-ja lëshon urdhërarreste për dy komandantë të lartë rusë

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhërarreste për dy komandantë të lartë rusë nën dyshimin se kanë kryer krime lufte në Ukrainë, raportoi të martën BBC-ja.

Gjenerallejtnant Sergei Kobylash dhe Viktor Sokolov - admiral i marinës, janë dy komandantët ndaj të cilëve janë lëshuar urdhërarrestet.

Kjo shënon herën e dytë të lëshimit të urdhërarresteve për zyrtarët rusë në lidhje me luftën në Ukrainë. Të parët ishin për presidentin Vladimir Putin dhe të dërguarën e tij për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova.

Rusia nuk e njeh GJNP-në, gjë që e bën të pamundur depërtimin e tyre për t'u përballur me akuzat.

GJNP-ja ka njoftuar se urdhërarrestet e fundit janë lëshuar pasi ka arsye të mjaftueshme për të besuar se dy të dyshuarit janë përgjegjës për sulmet me raketa të kryera nga forcat ruse nën komandën e tyre kundër infrastrukturës elektrike të Ukrainës.

“Krimet e supozuara kanë ndodhur midis tetorit të vitit 2022 dhe marsit 2023”, ka njoftuar gjykata, duke shtuar se sulmet kanë shkaktuar dëme në civilë.

Vendimin e ka mirëpritur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.

“Çdo komandant rus që urdhëron sulme kundër civilëve ukrainas dhe infrastrukturës kritike duhet të dijë se drejtësia do të vihet në vend. Çdo autor i krimeve të tilla duhet të dijë se do të mbajë përgjegjësi”, është shprehur ai në rrjete sociale.