Ukraina është pajtuar me kushtet “preliminare” të marrëveshje që do t’i jepte Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) qasje në depozitat e saj të mineraleve të rralla.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky shpreson që marrëveshja fillestare me SHBA-në “do të qojë në marrëveshje të tjera”, por ka konfirmuar se nuk ka ende pajtim për garanci të sigurisë nga SHBA-ja, ka raportuar “BBC”.
Presidenti i SHBA-së, Dondald Trump ka deklaruar se një marrëveshje do të ndihmonte taksapaguesit amerikanë “t’i rimarrin parat e tyre” për ndihmën e dërguar në Ukrainë gjatë luftës dhe duke i dhënë Kievit “të drejtën për të luftuar” kundër Rusisë.
Cilat janë kushtet e marrëveshjes?
Detaje kyçe rreth marrëveshjes akoma nuk janë bërë publike, por të mërkurën kryeministri i Ukrainës, Denys Shmyhal ka deklaruar se Ukraina dhe SHBA-ja kanë finalizuar një version të marrëveshjes.
Gjatë deklarimit për një televizion ukrainas, Shmyhal ka thënë se marrëveshja preliminare e konsideron edhe “një fond investimi” që do të krijohej për rindërtimin e Ukrainës.
Sipas tij Kievi dhe Washingtoni do të menaxhonin fondin në “terma të barabartë”.
Shmyhal ka deklaruar se Ukraina do të kontribuonte me 50% të të ardhurave nga burimet e mineraleve në pronësi të shtetit, nga nafta dhe gazi, dhe pastaj fondi do të investohej në projektet e vetë Ukrainës.
Zelensky e ka pranuar krijimin e fondit por ka thënë për BBC-në të mërkurën se “është shumë herët të flasim për para”.
The New York Times ka raportuar, duke cituar një draft dokument, se SHBA-ja do të kishte në pronësi shumën maksimale në fond që i lejohet nën ligjin e SHBA-së, por jo detyrimisht të gjithën.
Mosmarrëveshjet rreth kushteve të marrëveshjes së mineraleve të rralla kanë krijuar ndasi të mëdha në mes Trumpit dhe Zelenskyt gjatë javëve të fundit.
Presidenti i Ukrainës ka refuzuar kërkesën fillestare nga SHBA-ja që të kishte të drejtën e 500 miliardë dollarëve në të ardhura nga burimet natyrore të Ukrainës, por mediat kanë raportuar se kjo kërkesë tani është larguar.
“Kushtet e marrëveshjes tani janë shumë më mirë për Ukrainën”, ka deklaruar një burim nga qeveria ukrainase.
Të martën, Trumpi ka deklaruar se SHBA-ja i ka dhënë ndihmë Ukrainës nga 300 deri në 350 miliardë dollarë, dhe se ata duan që t’i rimarrin ato para” përmes një marrëveshjeje.
Por një Think Tank gjerman, Instituti Kiel vlerëson se SHBA-ja ka dërguar 119 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën.
A përfshinë marrëveshja garanci të sigurisë?
Zelensky ka avokuar për një marrëveshje që përfshinë garanci të forta të sigurisë nga SHBA-ja.
Por të mërkurën, lideri ukrainas ka deklaruar se garanci të tilla nuk janë dhënë.
“Desha të ketë një fjali në garancitë e sigurisë për Ukrainën, dhe është e rëndësishme që të jetë aty”, ka deklaruar Zelensky.
I pyetur nga BBC-ja se nëse ai ishte i gatshëm të tërhiqet nga marrëveshja nëse Trumpi nuk ofron garancitë që ai donte, Zelensky ka deklaruar se “dua të gjej një rrugë me NATO-n apo diçka të ngjashme”.
“Nëse nuk kemi garanci të sigurisë, nuk do të kemi armëpushim, asgjë nuk do të funksionojë, asgjë”, ka shtuar ai.
Pavarësisht kësaj, Shmyhal ka deklaruar të mërkurën se SHBA-ja ka mbështetur “përpjekjet e Ukrainës për të siguruar garanci të sigurisë për të ndërtuar paqe të qëndrueshme”.
Ai ka shtuar se Ukraina nuk do të nënshkruante marrëveshje derisa Zelensky dhe Trumpi “të pajtohen në garancitë e sigurisë” dhe të vendosin në atë se si të “lidhin këtë marrëveshje preliminare” me një garanci të sigurisë nga SHBA-ja.
Trumpi ka deklaruar të mërkurën se SHBA-ja nuk do të ofronte garanci të sigurisë “më shumë ... se shumë”, duke thënë se përgjegjësia për këtë bie mbi Evropën.
Por ai shtoi se prezenca e punëtorëve amerikanë në Ukrainë do të ofronte “siguri automatike”.
Kushti për një marrëveshje për mineralet e rralla ishte propozuar për herë të parë nga Zelensky vitin e kaluar si mënyrë për t’i ofruar SHBA-së një arsye të prekshme për të vazhduar mbështetjen e Ukrainës.
Trumpi ka shtuar të martën se Ukraina do të ketë “të drejtën për të luftuar” në këmbim të qasjes në mineralet e saj dhe ka sugjeruar se SHBA-ja do të vazhdonte ta furnizonte me pajisje dhe municion “derisa sa të kemi një marrëveshje me Rusinë”.
Presidenti i SHBA-së po ashtu ka deklaruar se Rusia është e hapur për të pranuar paqeruajtës evropianë në Ukrainë, por ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavror ka deklaruar se Kremlini nuk do ta konsideronte si opsion.
Kur do të nënshkruhet marrëveshja?
Shmyhal, ka deklaruar se SHBA-ja dhe Ukraina kanë përgatitur një version final të marrëveshjes, për të cilën qeveria ukrainase do të autorizojë nënshkrimin.
Zelensky ka deklaruar se ai do të “jetë shumë i drejtpërdrejtë” me Trumpin duke e pyetur nëse SHBA-ja do të vazhdonte të mbështeste Ukrainën apo jo.
Trumpi e ka konfirmuar se ai do të takohet me Zelenskyn në Washington të premten për të nënshkruar marrëveshjen.
Çfarë mineralesh ka Ukraina?
Kievi vlerëson se rreth 5% e “mineraleve të rralla kritike” botërore janë në Ukrainë.
Kjo përfshinë rreth 19 tonë rezerva të provuara të grafitit, për të cilën agjencia shtetërore për Shërbime Gjeologjike e Ukrainës deklaron se vendi është “njëri nga pesë vendet lidere” për furnizimin e këtij minerali. Grafiti përdoret për prodhimin e veturave elektrike.
Po ashtu Ukraina ka depozita të mëdha të titaniumit, litiumit dhe mineraleve të rralla – një grup i 17 elementeve që përdoren për prodhimin e armëve, turbinave të erës, elektronikëve dhe produkteve të tjera vitale në botën moderne.
Por një pjesë e depozitave të mineraleve të vendit janë pushtuar nga Rusia. Sipas Yulia Svyrydenko, ministër i Ekonomisë i Ukrainës, burime në vlerë prej 350 miliardë dollarësh janë nën territoret e pushtuara nga Rusia.
Janë edhe paralajmërimet se një marrëveshje që i lejon qasje SHBA-së në pasurinë e mineraleve të Ukrainës nuk mund të ndodhë nëse vendi nuk e adreson problemin e tij me minat e pashpërthyera.
Një çerek i territorit Ukrainas vlerësohet të jetë i kontaminuar me mina, shumica e koncentruar në lindje të vendit aty ku po zhvillohen luftimet.
Si ka reaguar Rusia?
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, akoma nuk i ka adresuar raportimet rreth pajtimit për kushtet e marrëveshjes në mes të SHBA-së dhe Ukrainës.
Por të hënën ai ka deklaruar në televizionin shtetëror se është i gatshëm t’u ofrojë burime partnerëve amerikanë në projektet e përbashkëta, duke përfshirë edhe gërmimin e “territoreve të reja” të Rusisë – duke iu referuar pjesëve të Ukrainës lindore që Rusia i ka pushtuar që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës tri vjet më parë.
Putini ka deklaruar se një marrëveshje në mes SHBA-së dhe Ukrainës për mineralet e rralla nuk është shqetësim dhe se Rusia “padyshim ka, dua të theksoj, burime më të mëdha të këtij lloji se Ukraina”.
“Edhe për territoret e reja, është njëjtë, jemi të gatshëm të tërheqim partnerë të huaj në atë të ashtuquajturat, territoret e tona historike, që janë rikthyer në Federatën Ruse”, ka shtuar ai.
Duke komentuar vizitën e Zelenskyt në Washington, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka deklaruar të martën se “nëse do të nënshkruhet marrëveshja e përmendur apo diçka tjetër, do të shohim, nuk ka pasur deklarime zyrtare në këtë çështje akoma”.