Gjigantët kinezë të shitjes në internet, Shein dhe Temu, kanë paralajmëruar klientët amerikanë se mallrat do të shtrenjtohen nga java e ardhshme, pas tarifave të larta ndaj Kinës që vendosi presidenti amerikan, Donald Trump.
Në deklaratat e tyre, kompanitë rivale kanë thënë se kanë parë rritje të shpenzimeve “për shkak të ndryshimeve të fundit në tregtinë botërorë dhe tarifat”, duke shtuar se nga 25 prilli do të bëjnë ndryshime të çmimeve, raportoi BBC.
Uebfaqet e blerjeve kanë milionë klientë në SHBA, që tërhiqen nga çmimet super të ulëta të tyre.
Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, Trumpi ka vendosur taksa mbi importet nga Kina që tani kanë arritur në 145%.
Që prej tarifave, Shein dhe Temu kanë pësuar rënie në aplikacionet e tyre. Temu renditet si e 75-ta si aplikacioni më i shkarkuar në SHBA, pasi vazhdimisht ka qenë në pesë aplikacionet e para. Shein është e 58-ta, nga 15 sa ishte muajin e kaluar.