Qeveria gjermane ka reaguar pas deklaratave të presidentit të zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, se nuk e përjashton përdorimin e ushtrisë për të marrë nën kontroll Grenlandën dhe Kanalin e Panamasë.
Një zëdhënës i qeverisë ka thënë në një konferencë të rregullt për shtyp të mërkurën se Gjermania i qëndron parimit ndërkombëtar se kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë, raporton Reuters.
“Si gjithmonë, vlen parimi i nderuar i Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe i Marrëveshjes së Helsinkit, që do të thotë se kufijtë nuk duhet të zhvendosen me forcë”, ka deklaruar zëdhënësi.
Ai nuk ka pranuar të komentonte kur është pyetur se sa seriozisht po i merr Gjermania deklaratat e Trumpit.
Trumpi ka refuzuar të martën të përjashtonte përdorimin e veprimeve ushtarake ose ekonomike për të marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë dhe Grenlandës dhe gjithashtu hodhi idenë për ta kthyer Kanadanë në një shtet të SHBA-së.
Në një konferencë për media të martën në resortin e tij në Florida, Trumpi po ashtu ka përmendur ndërrimin e emrit të Gjirit të Meksikës, në Gjiri i Amerikës.
LEXO EDHE: