Botë

Gjermania përuron seli detare shumëkombëshe në Detin Baltik

Selia detare

Foto: Associated Press

Gjermania përuroi të hënën një seli të re shumëkombëshe detare për Detin Baltik, e aftë për operacionet NATO-s gjatë një konflikti, ndërsa aleanca ushtarake po shton fokusin në zonë për shkak të tensioneve në rritje me Rusinë. 

"Mesazhi ynë për partnerët tanë dhe për ata që kërcënojnë paqen tonë është i thjeshtë: Gjermania qëndron me vendosmëri në angazhimet e saj”, ka deklaruar ministri i Mbrojtjes, Boris Pistorius sipas një drafti të fjalimit të tij në një ceremoni në komandën detare të vendit, në qytetin bregdetar të Rostock, në cilin ndodhet selia.

"Shtabi do të luajë një rol vendimtar në përgatitjen e raporteve të situatës ushtarake dhe në përgjigjen ndaj sfidave rajonale, duke përfshirë mbrojtjen e interesave të vendeve anëtare të NATO-s kundër veprimeve agresive, veçanërisht duke pasur parasysh afërsinë e Rusisë”, citohet të ketë thënë ai.

Krijimi i selisë thekson rëndësinë thelbësore të Detit Baltik për NATO-n, pasi marrëdhëniet me Rusinë u përkeqësuan pas luftës në Ukrainë, teksa Flota Baltike e Moskës ndodhet me bazë pranë Kaliningradit.

Sigurimi i rrugëve detare të hapura përmes Detit Baltik është bërë jetike për aleancën që nga zgjerimi i saj lindor pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ku Polonia, Lituania, Letonia, Estonia dhe së fundmi Finlanda dhe Suedia në veri u bashkuan me NATO-n.