Botë

Gjermania ka nevojë për rekrutime të forta ushtarake, thotë Scholzi

Olaf Scholz

Olaf Scholz

Foto: Associated Press

Gjermania duhet të gjejë mënyra për t'i bindur njerëzit që të regjistrohen në ushtri, ka thënë të martën kancelari Olaf Scholz, pasi vendi i tij e shikon rekrutimin si një mënyrë të mundshme për të rritur mbrojtjen e saj përballë tensioneve me Rusinë.

“Në fund të fundit ka të bëjë me atë se si ne mund të bindim mjaft gra dhe burra që të punojnë në Bundeswehr dhe të gjejnë një punë për veten e tyre atje”, ka thënë Scholz gjatë një vizite në Suedi, e cila rikthei rekrutimin në 2017 pas aneksimit të Krimesë nga Rusia, raporton Reuters.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, një anëtar i socialdemokratëve të Scholz-it, ka ngarkuar ministrinë e tij të eksplorojë modele të mundshme për rekrutim ushtarak.

Në Suedi, 5,000-6,000 të rinj dhe të reja zgjidhen për rekrutim çdo vit, por qeveria dëshiron ta rrisë këtë numër në 10,000, që do të thotë se rreth një në 10 të rinj do të duhet të kryejë trajnimin bazë.

Lufta në Ukrainë nxiti debatin në Gjermani për rifutjen e sistemit, pasi forcat e armatosura të Bundeswehr-it përballen me zvogëlimin e numrit të trupave në një kohë kur Berlini ka premtuar një rritje të paprecedentë në mbrojtjen e vendit. Gjermania nuk ka pasur rekrutim që nga viti 2011.

Kristian Demokratët (CDU), partia kryesore opozitare e Gjermanisë, është zotuar të rifusë shërbimin ushtarak nëse fiton zgjedhjet kombëtare vitin e ardhshëm.

Pistorius, ministria e të cilit ende nuk ka paraqitur dokumentin e saj me modelet e propozuara, e ka përshkruar më parë sistemin suedez si një model. Suedia trajnon rekrutët, por përdor vetëm aq vullnetarë sa i duhen ushtrisë profesionale.

"Asnjë vend nuk ka një model të përsosur dhe të gjithë respektojnë vende të ndryshme duke përdorur modele të ndryshme për arsye të ndryshme historike”, ka thënë kryeministri suedez, Ulf Kristersson pas bisedimeve të tij me Scholzin.