Ministria e Mbrojtjes së Izraelit ka njoftuar të enjten se ka siguruar marrëveshjen e saj më të madhe për mbrojtje, duke ia shitur Gjermanisë sistemin e sofistikuar të mbrojtjes për 3.5 miliardë dollarë, pasi marrëveshja u aprovua nga SHBA-ja, raporton agjencia AP.
Ndonëse Izraeli ka pasur lidhje të gjata ekonomike dhe ushtarake me shtetet perëndimore evropiane, marrëveshja me Gjermaninë mund t’i acarojë marrëdhëniet me Rusinë. Izraeli ka mbajtur marrëdhëniet e punës me Rusinë përgjatë luftës në Ukrainë. Izraeli vazhdimisht ka refuzuar kërkesat për t’i shitur armë Ukrainës, nga frika se do ta armiqësohet me Rusinë.
Gjermania do ta blejë sistemin e avancuar të mbrojtjes, “Arrow 3”, që është i dizajnuar për t’i ndaluar raketat balistike me rreze të gjatë veprimi. Izraeli kërkoi aprovimin nga Departamenti i Shtetit i SHBA-së për të finalizuar marrëveshjen, pasi sistemi është zhvilluar bashkërisht nga dy vendet.
Ende duhen hapa tjerë procedural për shitje si nga Izraeli ashtu edhe nga Gjermania, përfshirë edhe aprovimin nga parlamentet e dy vendeve, sipas drejtorit të Organizatës së Izraelit për Mbrojtje Raketore, Moshe Patel. Patel i ka thënë gazetarëve të enjten se përbërësit e sistemit do t’i dorëzohen plotësisht Gjermanisë deri në vitin 2025, dhe sistemi i mbrojtjes do t’i arrijë aftësitë e plota deri në vitin 2030.
Gjermania ka lansuar një Iniciativës të Mbrojtjes Ajrore Evropiane vitin e kaluar me 17 shtete tjera, përfshirë Britaninë e Madhe e Suedinë, një sistem i përbashkët evropian i mbrojtjes ajrore.