Gjermania ka njoftuar të mërkurën se do të rifillojë bashkëpunimin me agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë, UNRWA, pas publikimit të një raporti të pavarur të neutralitetit të agjencisë.
Sipas këtij raporti Izraeli nuk shprehu kurrë shqetësim për askënd në listat e stafit që nga viti 2011. Rishikimi u krye pasi Izraeli pretendoi se dhjetëra punonjës të agjencisë së njohur si UNRWA kishin marrë pjesë në sulmet e Hamasit të 7 tetorit.
Kreu i Ligës Arabe, Amr Mohammed Moussa e ka mirëpritur vendimin e Gjermanisë, duke thënë se kjo tregon që pretendimet e Izraelit ishin të pabaza dhe pjesë e një fushate sistematike që synonte t’i jepte fund mandatit të agjencisë, raporton AP.
Izraeli thotë se qindra punëtorë të UNRWA-së janë anëtarë të grupeve militante palestineze. Pretendimet e Izraelit çuan në pezullimin e financimit për UNRWA-në nga Shtetet e Bashkuara dhe më shumë se dhjetëra vende të tjera.
Gjithashtu të mërkurën, ushtria izraelite ka njoftuar se po ridislokon dy brigada rezervë nga kufiri verior i Izraelit në Gaza për “misione mbrojtëse dhe taktike”, derisa ka filluar edhe përgatitjet për ofensivën në Rafah, ashtu siç kishte premtuar më parë.