Rasti i parë me variantin e ri të mpox është detektuar në Gjermani, ka raportuar gazeta Bild të martën, duke e cituar Institutin "Robert Koch" (RKI) për shëndet publik.
RKI-a aktualisht vlerëson se rreziku për shëndetin e popullatës së përgjithshme në Gjermani është i ulët. RKI do të vazhdojë ta monitorojë nga afër situatën dhe do ta japë vlerësimin e duhur lidhur me gjendjen aktuale nëse është e nevojshme.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka cilësuar mpoxin, që njihet edhe si lija e majmunit, si emergjencë të shëndetit publike në gusht, pas shpërthimit të infeksionit viral në Republikën Demokratike të Kongos, që është përhapur edhe në vendet fqinje.
Shenjat e para të shpërndarjes së virusit jashtë kontinentit afrikan kanë ardhur më 15 gusht, kur zyrtarët botërorë të shëndetësisë kanë konfirmuar një infeksion me variant të ri të virusit mpox në Suedi.