Qeveria e kancelarit Olaf Scholz ka çuar përpara planin për të shtrënguar politikat e pranimit të azilkërkuesve, të prezantuara pas sulmeve vdekjeprurëse me thikë që tronditën Gjermaninë, raporton AFP të shtunën.
Një nga masat kryesore të planit të paraqitur në fund të gushtit parashikon anulimin e ndihmës për azilkërkuesit që kanë hyrë në një vend tjetër të BE-së para se të mbërrijnë në Gjermani.
Partitë në koalicionin e socialdemokratëve (SPD) të Scholzit, të formuar me të Gjelbërit dhe liberalët, kanë shtuar përjashtime.
Por anulimi i ndihmës nuk do të vlejë në rast se ka të përfshirë fëmijë.
“Ne nuk duam të shkaktojmë varfërim mes azilkërkuesve, përgjegjësia e të cilëve është një shtet tjetër anëtar i BE-së”, shpjegon deputeti i SPD-së, Dirk Wiese në një letër drejtuar kolegëve në grupin parlamentar.
Sipas “Rregullores së Dublinit” të rënë dakord nga anëtarët e BE-së, vendi i parë ku hyn një i huaj është përgjegjës për kërkesën e tij për azil.
Plani do të diskutohet në Bundestag dhe pritet të miratohet.
Sulmet me thikë që i atribuohen ekstremistëve myslimanë në tre muajt e fundit kanë nxitur pakënaqësi në Gjermani.
Incidentet nxitën rritje për partinë e ekstremit të djathtë, AfD anti-migrante, e cila fitoi zgjedhjet rajonale për herë të parë në shtator dhe shënoi rezultate historikisht të larta në dy zgjedhje të tjera.
Me planin e ri, qeveria gjermane planifikon gjithashtu të lehtësojë dëbimin e refugjatëve që përdorin armë, të kufizojë mbajtjen e thikave dhe të zgjerojë kompetencat e autoriteteve.
Opozita konservatore i konsideron këto masa të pamjaftueshme.