Botë

Gjermania arreston një të dyshuar si spiun i Kinës

Flamuri i Kinës

Autoritetet gjermane kanë arrestuar një burrë që punonte për një politikan të ekstremit të djathtë, i dyshuar si spiun i Kinës, raporton BBC.

Ata e kanë identifikuar të dyshuarin si Jian G, 43 vjeç, i quajtur nga media gjermane si asistent i deputetit të partisë Alternativa për Gjermaninë (AfD) dhe kandidatit për zgjedhjet evropiane, Maximilian Krah.

Prokurorët kanë njoftuar se ai është arrestuar në qytetin lindor të Dresdenit. Ata pretendojnë se ai i ka kaluar informacione për Parlamentin Evropian, inteligjencës kineze.

Një zëdhënës i AfD-së ka thënë se raportet për arrestimin e një prej punonjësve të Krah-ut me dyshimin për spiunazh janë shumë shqetësuese dhe se ata presin hetime të mëtejshme nga prokurori publik.

“Nëse konfirmohet se dikush ka spiunuar për Kinën, ky është një sulm nga brenda ndaj demokracisë evropiane”, ka deklaruar ministrja e brendshme, Nancy Faeser.

Prokurorët kanë thënë se Jian G kishte punuar që nga viti 2019 për një anëtar të Parlamentit Evropian. Ata nuk e përmendën emrin e Maximilian Krah-ut, i cili është kandidati kryesor i AfD-së në Zgjedhjet Evropiane që zhvillohen në 27 vendet anëtare të BE-së nga 6 deri më 9 qershor.

Arrestimi i të dyshuarit Jian G vjen një ditë pasi dy burra dhe një grua u arrestuan nën dyshimin se kishin spiunuar për Kinën, duke i ofruar informacione mbi teknologjinë ushtarake.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës e ka hedhur poshtë arrestimin dhe e ka cilësuar si spekulim të krijuar “për ta njollosur dhe shtypur Kinën”.

I dyshuari për spiunazh, Jian G pritet të dalë para trupit gjykues më vonë të martën.