Botë

Gjermania arreston “dy spiunë rusë”

Gjermania

Gjermania ka arrestuar dy persona në shtetin jugor të Bavarisë, më dyshimin se kanë spiunuar dhe kanë planifikuar të sabotonin ndihmën ushtarake gjermane për Ukrainën, raporton BBC.

Dy burrat, të identifikuar si shtetas të dyfishtë gjermano-rus, janë arrestuar në Bayreuth me dyshimin se kishin spiunuar për Rusinë, kanë bërë të ditur prokurorët.

Dieter S, 39 vjeç, dyshohet për një sërë veprash spiunazhi, përfshirë planifikimin për sulm, zjarrvënie si dhe mbajtjen e kontaktit me inteligjencën ruse.

Ai akuzohet gjithashtu për pjesëmarrje në ushtrinë ruse gjatë një operacioni ushtarak në Ukrainën lindore.

I dyshuari i dytë, i identifikuar si Alexander J, akuzohet se e ka ndihmuar Dieter S. që nga muaji i kaluar për të identifikuar objektivat e mundshëm për sulm.

Sipas prokurorëve, Dieter S. dyshohet se ka diskutuar operacionet e mundshme sabotuese në Gjermani me kontaktin e tij rus që nga tetori i vitit të kaluar, në përpjekje për të minuar mbështetjen e saj për Ukrainën.

Ata përmendin përgatitjen e sulmeve me eksplozivë dhe zjarrvënie, veçanërisht në infrastrukturën ushtarake dhe industriale. Dieter S. thuhet se ka vëzhguar objektivat e mundshëm, duke përfshirë objektet ushtarake amerikane, duke bërë fotografi dhe video dhe duke ia dhënë ato informacione kontaktit rus.

Ministri i Drejtësisë i Gjermanisë, Marco Buschmann i ka quajtur arrestimet sukses tjetër të rëndësishëm hetimor në luftën kundër rrjeteve të sabotimit dhe spiunazhit të presidentit rus Vladimir Putin.

Gjermania është donatori i dytë më i madh i ndihmës ushtarake për Ukrainën pas SHBA-së, me rreth 28 miliardë euro të dhuruara që nga fillimi i pushtimit të plotë të Rusisë në shkurt të 2022-ës.