Botë

Gjendja e Ficos është ende serioze, thonë zyrtarë të Qeverisë sllovake

Robert Kalinak

Robert Kalinak

Foto: Associated Press

Gjendja e kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, është serioze por stabile edhe të shtunën, derisa i dyshuari për sulmin ndaj tij ka dalë para gjykatës.

Dy orë operacion të premten për të hequr indet e vdekura nga plagët e shumta të Ficos, çuan në një prognozë të mirë për shërimin e tij, por ai ende nuk është mjaftueshëm mirë për ta transferuar në një spital në kryeqytet, Bratislavë, kanë bërë të ditur ministrat qeveritar, në një konferencë për media të shtunën jashtë Spitalit Universitar F. D. Roosevelt në Banska Bystrica, ku Fico u dërgua me helikopter menjëherë pas të shtënave.

“Disa mrekulli kanë ndodhur në Banska Bystrica në këto ditë nga duart e mjekëve, infermierëve dhe personelit në spitalin Roosevelt”, ka deklaruar ministri sllovak i Mbrojtjes, Robert Kalinak.

Fico 59 vjeç, 3është sulmuar derisa po përshëndeste mbështetësit pas një takimi qeveritar të mërkurën në qytetin Handlova. I dyshuari është arrestuar menjëherë pas sulmit.

Përditësimi për gjendjen e Ficos është bërë në kohën kur i dyshuari, ende i paidentifikuar me kërkesë të prokurorisë, është vendosur para gjykatës.

Prokurorët kanë kërkuar një urdhër nga Gjykata e Specializuar e Krimeve e Sllovakisë që të burgoset i dyshuari.

Prokurorët i kanë thënë policisë të mos e identifikojë burrin apo të lëshojë detaje të tjera lidhur me rastin, mirëpo raportet e pakonfimruara të mediave sllovake thonë se 71-vjeçari njihet si një poet amator i cili kishte punuar si roje sigurimi në një qendër tregtare në jugperëndim të shtetit.

Ndërkaq zyrtarët qeveritarë kanë thënë se i dyshuari nuk i përket ndonjë grupi politik, ndonëse siç kanë thënë, sulmi ishte i motivuar politikisht.

LEXO EDHE: