Botë

Gjendet një trup i pajetë në një avion që mbërriti në Frankfurt nga Irani

Policia gjermane ka bërë të ditur se një trup i pajetë është gjetur në “karrocën” e një avioni Lutfhansa që ka mbërritur në aeroportin e Frankfurtit nga Teherani të enjten.

Punonjësit në aeroportin e Frankfurtit zbuluan një trup burri të enjten në mëngjes në një aeroplan që kishte mbërritur nga kryeqyteti iranian gjatë një kontrolli rutinë të mirëmbajtjes në orën 5:30 të mëngjesit me orën lokale, tha policia e Frankfurtit në një deklaratë.

Ata shtuan se pranë trupit të pajetë u gjet një kuti oksigjeni me maskë.

"Ne mund të konfirmojmë se gjatë kontrollit rutinë të një Airbus A340-300 të Lufthansa pas uljes në Frankfurt dje, një trup i pajetë u zbulua në gjirin e pajisjes së uljes së avionit”, thuhet në një deklaratë të kompanisë për CNN-in.

Sipas orarit të fluturimeve të Lufthansa-s, fluturimi direkt në këtë rrugë zgjat pesë orë e gjysmë.

Fluturimi i rregullt i së premtes u anulua pas zbulimit, u bë e ditur në uebfaqen e Lufthansas.

Incidenti vjen mes protestave mbarëkombëtare në Iran që kanë pushtuar vendin prej javësh, pas vdekjes së 22-vjeçares, Mahsa Amini.

Dhjetëra mijëra protestues dolën në rrugët e Berlinit të shtunën e kaluar në shenjë mbështetjeje për protestat e vazhdueshme antiqeveritare në Iran.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock njoftoi të mërkurën se Gjermania do të miratojë masa të mëtejshme kufizuese, duke përfshirë vendosjen e kufizimeve të hyrjes për shtetasit iranianë për shkak të përkeqësimit të situatës së të drejtave të njeriut në vend.

Të enjten në mëngjes, ministria e jashtme e Iranit thirri ambasadorin e Gjermanisë në Teheran, Hans-Udo Muzel, duke akuzuar Berlinin për ndërhyrje në punët e brendshme të Republikës Islamike, tha agjencia gjysmë zyrtare e lajmeve Mehr News.

Ministria e Jashtme e Gjermanisë tha të premten se kishte thirrur ambasadorin iranian në një lëvizje reciproke të enjten në Berlin.