Botë

Gjenden trupat e dy fëmijëve spanjollë të zhdukur nga përmbytjet

Spanja

Janë gjetur trupat e dy vëllezërve të vegjël që ishin zhdukur gjatë përmbytjeve që goditën rajonin lindor të Spanjës, Valencia dy javë më parë, ka konfirmuar Garda Civile të mërkurën, raporton Reuters.

Ruben dhe Izan Matias Calatayud, të moshës 3 dhe 5-vjeçare, u gjetën në lokacione të ndryshme afër Catarrojas, gati 10 kilometra larg shtëpisë së tyre në Torrent, periferi të qytetit Valencia, prej nga janë zhdukur kur ndodhën përmbytjet më 29 tetor, ka thënë një zëdhënës i Gardës Civile.

Halla e tyre, Barbara Sastre ka thënë për transmetuesin e Spanjës TVE javën e kaluar, se nëna e djemve ishte duke punuar në Valenica dhe babai ishte me ta në shtëpi kur ndodhën përmbytjet.

Zhurma e ujit që rridhte nëpër rrugë i frikësoi fëmijët dhe babai i tyre i zhvendosi në dhomën e ndenjës për t’i qetësuar, kur uji i shpërtheu muret, ka thënë ajo.

“Të tre i tërhoqi rryma”, ka thënë ajo për TVE.

Babai i tyre është përpjekur t’i kapë, por rryma e shpejtë e ujit i ka tërhequr, ka raportuar agjencia e lajmeve të shtetit EFE.

Ai ka mbijetuar duke u kapur në një pemë, ku ka mbetur për katër orë para se të shpëtohej me lëndime serioze.

Sastre ka thënë se lajmi e ka “shkatërruar” familjen.

“Kanë kaluar shumë ditë dhe janë shumë të vegjël”, ka thënë ajo. “E dimë që autoritetet janë duke i kërkuar dhe se ka grupe kërkimi çdo ditë”.

Ekipet e shpëtimit që i kërkojnë personat e zhdukur nga stuhia, i kanë intensifikuar përpjekjet e tyre në luginat e afërta dhe ligatinat Albufera, si dhe në det, duke përdorur anije të specializuara kërkimi.

Deri të martën, autoritetet kanë konfirmuar se gjithsej 223 persona kanë vdekur deri më tani nga përmbytjet e 29 tetorit, ndërsa 17 mbeten të zhdukur.

Paralajmërimi i ri i stuhisë e ka vënë rajonin e Valencias në gjendje të re alarmante që nga mbrëmja e së martës, së bashku me zonat e tjera përgjatë bregdetit spanjoll, duke e përfshirë qytetin jugor Malaga.

Shërbimet e urgjencës kanë zhvendosur disa njerëz nga shtëpitë që janë nën rrezik të lartë të përmbytjeje, u kanë kërkuar qytetarëve të lëvizin në zona më të larta, ndërsa mësimet janë pezulluar në Malaga, Valencia dhe disa komuna të Katalonjës.