Botë

Gjashtë muaj pas luftës, mallrat ruse ende vërshojnë Amerikën

Presidenti Joe Biden premtoi “t’i shkaktojë dhimbje" dhe t'i japë "goditje dërrmuese" Vladimir Putinit përmes kufizimeve tregtare ndaj mallrave si vodka, diamantet dhe benzina në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës gjashtë muaj më parë. Por qindra lloje të tjera mallrash të pasanksionuara me vlerë miliarda dollarësh, përfshirë ato të gjetura në anijen e nisur për në Baltimore nga Shën Petersburgu në Rusi vazhdojnë të shkarkohen në portet e SHBA-së

Në një ditë të nxehtë dhe të lagësht në Bregun Lindor këtë verë, një anije e madhe kontejnerësh u ankorua në portin e Baltimores, e ngarkuar me shufra alumini dhe materiale radioaktive, të gjitha me burim nga fushat, pyjet dhe fabrikat e Rusisë.

Presidenti Joe Biden premtoi “t’i shkaktojë dhimbje" dhe t'i japë "goditje dërrmuese" Vladimir Putinit, përmes kufizimeve tregtare ndaj mallrave si vodka, diamantet dhe benzina në vazhdën e pushtimit rus të Ukrainës gjashtë muaj më parë. Por, qindra lloje të tjera mallrash të pasanksionuara me vlerë miliarda dollarësh, përfshirë ato të gjetura në anijen e nisur për në Baltimore nga Shën Petersburgu në Rusi, vazhdojnë të shkarkohen në portet e SHBA-së.

Ndikimi negativ

Image

Associated Press zbuloi se më shumë se 3.600 ngarkesa druri, metali, gome dhe mallra të tjera kanë mbërritur në portet e SHBA-së nga Rusia qëkur ajo filloi të lansonte raketa dhe sulme ajrore ndaj fqinjit të saj në shkurt. Kjo është një rënie e ndjeshme nga e njëjta periudhë e vitit 2021, kur arritën rreth 6.000 dërgesa, por ende shton deri në më shumë se 1 miliard dollarë tregti në muaj.

Në realitet, askush nuk priste që tregtia të ndalohej pas pushtimit. Ndalimi i importeve të artikujve të caktuar ka të ngjarë të dëmtojë më shumë ata sektorë në SHBA sesa në Rusi.

“Kur ne vendosim sanksione, kjo mund të prishë tregtinë globale. Pra, detyra jonë është të mendojmë se cilat sanksione japin ndikimin më të madh, duke lejuar gjithashtu tregtinë globale të funksionojë", tha për AP-në ambasadori Jim O'Brien, i cili drejton Zyrën e Koordinimit të Sanksioneve të Departamentit të Shtetit.

Ekspertët thonë se ekonomia globale është aq e ndërthurur saqë sanksionet duhet të kufizohen në shtrirje për të shmangur rritjen e çmimeve në një treg tashmë të paqëndrueshëm.

Gjithashtu, sanksionet e SHBA-së kanë sfida; masat e ndalimeve të Bashkimit Evropian dhe Mbretërisë së Bashkuar rezultojnë në rregulla të ndërlikuara tregtare që mund të jenë konfuze për blerësit, shitësit dhe politikëbërësit.

Për shembull, administrata e Bidenit dhe BE-ja nxorën lista të veçanta të kompanive ruse që nuk mund të marrin eksporte, por të paktën një nga ato kompani, e cila furnizon ushtrinë ruse me metal për të prodhuar avionë luftarakë që hedhin bomba aktualisht në Ukrainë, është ende duke shitur miliona dollarë metal, për firmat amerikane dhe evropiane, zbuloi AP-ja.

Alternativa të kufizuara

Ndërsa disa importues amerikanë po sigurojnë materiale alternative diku tjetër, të tjerët thonë se nuk kanë zgjidhje. Në rastin e importeve të drurit, pyjet e dendura të thuprës së Rusisë krijojnë lëndë drusore aq të fortë saqë shumica e orendive amerikane të klasës së parë prej druri dhe shumë dysheme shtëpie janë prodhuar prej saj. Kontejnerët e transportit të artikujve rusë, drithëra, këpucë për peshëngritje, pajisje për minierat e kriptove, madje edhe jastëkë, mbërrijnë në portet e SHBA-së pothuajse çdo ditë.

Një ndarje e mallrave të importuara nga Rusia tregon se disa artikuj janë qartësisht të ligjshëm dhe madje të inkurajuar nga administrata e Bidenit, si më shumë se 100 dërgesat e plehrave që kanë mbërritur që nga pushtimi. Produktet e ndaluara tani si nafta dhe gazi rus vazhduan të mbërrinin në portet amerikane shumë kohë pas shpalljes së sanksioneve për shkak të periudhave të "mbylljes", duke i lejuar kompanitë të finalizojnë kontratat ekzistuese.

Në disa raste origjina e produkteve të dërguara nga portet ruse mund të jetë e vështirë për t'u dalluar. Kompanitë energjetike amerikane po vazhdojnë të importojnë naftë nga Kazakistani përmes porteve ruse, edhe pse ajo naftë ndonjëherë përzihet me karburantin rus. Ekspertët e tregtisë paralajmërojnë se furnitorët rusë nuk janë të besueshëm dhe strukturat e errëta të korporatave të shumicës së kompanive të mëdha ruse e bëjnë të vështirë përcaktimin nëse ato kanë lidhje me qeverinë.

“Është një rregull i përgjithshëm: kur të keni sanksione, do të keni të gjitha llojet e skemave të turbullta dhe tregtisë së paligjshme”, tha ekonomisti rus Konstantin Sonin, i cili ligjëron në Universitetin e Çikagos. "Megjithatë, sanksionet kanë kuptim sepse, edhe pse nuk mund të vrasësh 100 për qind të të ardhurave, mund t'i reduktosh ato". /Analizë e agjencisë së lajmeve, AP

Përktheu: Forca Jashari