Gjashtë emigrantë kanë vdekur pasi ushtarët në Meksikë gjuajtën me armë zjarri ndaj një automjeti që transportonte një grup prej 33 personash që po udhëtonin në jug të vendit.
Ministria meksikane e mbrojtjes ka thënë se 10 emigrantë të tjerë u plagosën në incidentin e së martës në mbrëmje, rreth 40 km në veri të kufirit me Guatemalën, raporton BBC.
Ministria tha se një patrullë ushtarake pa automjetin e emigrantëve duke udhëtuar me shpejtësi të madhe, në një përpjekje të dukshme për të shmangur ndalimin.
Ushtarët raportuan se kishin dëgjuar shpërthime pas të cilave dy oficerë gjuajtën me armë zjarri, thuhet në deklaratë, duke shtuar se ata janë larguar nga detyrat e tyre ndërsa po kryhen hetimet.
Meksika është nën presionin e SHBA-së për të shtypur numrin e emigrantëve që kalojnë rrugën përmes vendit për të arritur në kufirin amerikan.
Një raport i policisë për incidentin në shtetin jugor Chiapas tha se ushtarët e ndoqën automjetin pasi nuk arritën ta ndalonin në një pikë kontrolli të ushtrisë, përpara se të qëllonin me armë për ta ndaluar atë, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters.
Sipas deklaratës së ministrisë së Mbrojtjes, emigrantët vinin nga Egjipti, Nepali, Kuba, India dhe Pakistani.
Katër vdiqën në vendngjarje ndërsa dy nga 12 të plagosurit vdiqën në spital. 17 pasagjerët e mbetur iu dorëzuan autoriteteve të emigracionit.