Besar Gërgi, hulumtues për politika të jashtme në Grupin për Studime Juridike dhe Politike, ka thënë se përdorimi i disa raketave të reja për herë të parë në luftën në Ukrainë nga ana e Rusisë, është manovër taktike para përfundimit të luftës.
Në javën e fundit, Ukraina për herë të parë përdori raketat amerikane në caqet ruse brenda territorit të Rusisë. E Rusia si përgjigje përdori raketa balistike për herë të parë, të cilat Ukraina i cilësoi ndërkontinentale, ndërsa Rusia vetëm si “raketa të reja”.
Këto, sipas Gërgit, janë lëvizjet e fundit para se të ndërrojë administrata amerikane dhe në pushtet të vijë Donald Trumpi. Sipas tij, Trumpi shihet si lider me tone më pozitive në Rusi. Për shkak të kësaj, sipas Gërgit, Rusia “s’ka shumë të ngjarë që ta keqpërdorë këtë moment që ta përshkallëzojë luftën”.
“Ka një mund të madh nga të dyja palët në muajt përfundimtar para ‘përfundimit të luftës’. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky tha se viti i ardhshëm do të jetë përfundimtar për luftë dhe këto janë manovrat e fundit para rezultatit përfundimtar”, ka thënë ai në “Interaktiv” të KTV-së.
Gërgi ka thënë se vitin e ardhshëm mund të ketë armëpushim, por jo marrëveshje për mirëkuptim politik.
“Ishte interesant një raportim në mediat amerikane se rusët para se ta hedhin këtë raketë i lajmëruan se po hedhim një raketë, që janë raketa që përdoren vetëm për sulme bërthamore, pra si eksperiment për të parë sa mund të udhëtojnë e sa janë të saktë por jo për qëllime ushtarake. Duke qenë se janë kaq të fuqishme i kanë paralajmëruar amerikanët të mos keni dyshime sepse ka koka të zakonshme dhe jo bërthamore. Por duhet t’i kthehemi deklaratës së Zelenskyt se viti i ardhshëm do të jetë përfundimtar dhe unë besoj se këto janë manovra taktike para përfundimit të luftës. Do të kemi gjatë vitit të ardhshëm një armëpushim sepse s’ka hapësirë për mirëkuptim politik për marrëveshje të paqes. Pra Rusia sipas të gjitha gjasave s’do të tërhiqet nga territoret që i ka pushtuar e Ukraina s’mund ta njohë aneksimin rus. S’ka minimum bazik për të pasur marrëveshje paqeje. Mund të ketë në rastin më të mirë një armëpushim”, ka deklaruar Gërgi.
Për ardhjen e Trumpit, sipas Gërgit, janë dy teori kryesore. “E para thotë se do t’i braktisë sikur kurdët në Siri e unë besoj se kjo s’ka të ngjarë të ndodhë sepse Ukraina ndihmën e parë ushtarake e ka marrë nga administrata e parë Trump. Faktori i dytë që më shtyn të besoj kështu është se emërimi i disa figurave tregojnë për zëra të fuqishëm në favor të Ukrainës. Teoria e dytë është se Trumpi do t’i japë Ukrainës armatim edhe më të rëndë e pastaj do t’i bëjë presion Rusisë t’i thotë ‘ulu në tavolinë e bisedoni për armëpushim sepse do t’i jap leje t’i përdorë raketat’”, ka thënë Gërgi.
Deklaratat e Trumpit për Ukrainën në muajt e fundit, Gërgi i ka vlerësuar “elektorale”. Po që se SHBA-ja heq dorë nga Ukraina, sipas Gërgit, do të ketë vështirësi që ajo të furnizohet me armatim për shkak të varësisë nga amerikanët.
Sipas Gërgit, armëpushimi i mundshëm vitin e ardhshëm mund të jetë vetëm për t’u riarmatosur e përgatitje për betejë të ardhshme. Ai ka thënë se aktualisht s’konsideron që ka gjasa për zgjerim të luftës, por se kjo mund të ndodhë në vitet e ardhshme e se këtu nuk përjashtohet as rajoni i Kosovës, për shkak se “as Serbisë, sikur Rusisë, nuk i pëlqen rendi aktual botëror”.