Duke e shikuar nga trajektorja e raketës, sulmi është nisur nga veriperëndimi ku nuk ka fare forca ruse”, thotë prezantuesi rus gjatë edicionit të lajmeve të orës 16:00 të kohës së Moskës. Katër orë më vonë një bllok lajmesh nga “Rossiya 1” shkon më tej duke e fajësuar vetë Ukrainën për këtë sulm.
Nuk ka pasur kurrë sqarim më të mirë të një realiteti alternativ të prezantuar nga mediat shtetërore ruse sesa edicioni i lajmeve të së martës në orën 17:00. Përderisa televizioni britanik BBC filloi lajmet me sulmet ruse në një qendër televizive në kryeqytetin Kiev, televizioni rus po thoshte që Ukraina ishte përgjegjëse për sulmet në qytetet e veta.
Atëherë, çka po shohin shikuesit rreth luftës në televizionet ruse? Çfarë mesazhesh po dëgjojnë përmes radios? Mund të shihet një fotografi që rusët e kanë parë gjatë të martës më 1 mars. Këto fotografi të luftës transmetoheshin nëpër të gjitha televizionet kryesore të Rusisë. Krejt këto mediume kontrollohen nga Kremlini dhe aleatët në korporata.
Të martën rendi normal i funksionimit ndërpritet në ora 05:30 të kohës së Moskës. Prezantuesit lajmëruan që oraret e televizionit kanë ndryshuar “për shkak të ngjarjeve të njohura” dhe do të shfaqen më shumë lajme dhe çështje aktuale. Blloqet e lajmeve sugjerojnë që lajmet rreth forcave ukrainase që po i shkatërrojnë pajisjet ushtarake ruse janë të rrejshme, të shkruara për “mashtrimin e shikuesve”.
“Xhirimet ende qarkullojnë në internet dhe nuk shpjegohen ndryshe veçse të rrejshme,” shpjegon prezantuesi teksa shihen fotografitë e asaj se çka shpjegohet si “manipulime virtuale të pasofistikuara”.

Raportimet e rrejshme
Në mëngjes, në orën 08:00 të kohës së Moskës, dëgjojmë bllokun e lajmeve në programin televiziv “NTV”, që është pronë e një filiali të “Gazprom”-it, kompani e kontrolluar nga Kremlini. Fokusohet pothuajse ekskluzivisht në ngjarjet në Donbas, rajon në lindje të Ukrainës ku më 24 shkurt Rusia lajmëroi që po fillonte “operacionet speciale ushtarake” për çmilitarizimin e Ukrainës.
Në lajme nuk përmenden autokolonat ushtarake me kilometra të gjata duke bërë rrugën nga Bjellorusia për në veriun e Ukrainës, më saktësisht për në Kiev, që në Mbretërinë e Bashkuar e kanë shtyrë për gjysmë ore bllokun e lajmeve të “BBC Radio 4”.
“Fillojmë me lajmet më të fundit nga Donbasi. Luftëtarët e LNR [Republika Popullore e Luhanskut] e vazhdojnë ofensivën e tyre, pasi kanë udhëtuar 3 km, përderisa njësitë e DNR [Republika Popullore e Donetskut] kanë udhëtuar 16 km”, thotë prezantuesi i “NTV”-së.
Prezantuesi po iu referohet rebelëve të mbështetur nga Moska që i kanë kontrolluar të ashtuquajturat Republikat Popullore të Donetskut dhe Luhanskut që nga ndërhyrjet ruse në lindje të Ukrainës para tetë vjetëve.

Televizioni i “Gazprom”-it
Sipas “Rossiya 1” dhe “Kanali 1” - dy kanalet më të njohura ruse dhe të kontrolluara nga shteti - forcat ukrainase akuzohen për krime lufte në rajonin e Donbasit. Civilët ukrainas nuk kërcënohen nga forcat ruse, por nga “nacionalistët ukrainas,” thotë prezantuesi i “Rossiya 1”.
“Ata po i përdorin civilët si mburojë, duke i shtyrë qëllimisht sulmet në hapësira të banueshme dhe duke i shtuar granatimet e qyteteve të Donbasit”.
Prezantuesi i “Kanalit 1” lajmëron që trupat ukrainase “po përgatiten që t’i mbrojnë shtëpitë e banuara” dhe t’i bombardojnë deponitë me amoniak në “akte provokimi kundër civilëve dhe forcave ukrainase.”
Situata në Ukrainë nuk po konsiderohet si luftë. Por ofensiva po përshkruhet si operacion demilitarizimi që ka për cak infrastrukturën ushtarake ose një “operacion special [ushtarak] për t’i mbrojtur republikat popullore.”
Në televizionet e kontrolluara nga shteti prezantuesit dhe raportuesit përdorin gjuhë emocionuese dhe imazhe t’i përshkruajnë “paralelet historike” në mes “operacioneve speciale ushtarake” të Rusisë në Ukrainë dhe luftës së Bashkimit Sovjetik kundër nazistëve gjermanë.
“Taktikat e nacionalistëve e përdorimit të fëmijëve si mburojë nuk kanë ndryshuar që nga Lufta e Dytë Botërore”, thotë prezantuesi i një programi të mëngjesit në kanalin “Rossiya 24”.
“Ata sillen tamam si fashistë: neonazistët i vendosën pajisjet e tyre ushtarake jo vetëm afër shtëpive të banuara, por edhe në bodrumet ku fëmijët ishin fshehur”, shton raportuesi në një video të quajtur “fashizmi ukrainas”.
Fajësimi i Ukrainës
Fragmenti u jep jehonë pretendimeve të javës së kaluar të bëra nga Vladimir Putini, i cili thoshte se Ukraina po i përdor gratë, fëmijët dhe të moshuarit si mburoja. Përderisa mediat e Perëndimit po pyesnin nëse sulmet ruse kanë hasur vështirësi që të bëjnë progres, televizioni rus i paraqet operacionet ruse si shumë të suksesshme. Përditësimet tregojnë shifra të pajisjeve dhe armatimeve ukrainase të shkatërruara. Më shumë se 1100 pajisje të infrastrukturës ushtarake janë çaktivizuar dhe me qindra pjesë të pajisjeve ushtarake janë shkatërruar, thonë raportet e lajmeve të mëngjesit dhe nuk përmendet asnjë viktimë ruse.
Blloku i lajmeve të mëngjesit rus mezi e pranon ofensivën e ushtrisë ruse në pjesët e tjera të Ukrainës. Raportuesit e televizionit shtetëror nuk po raportojnë nga vendi i ngjarjeve si Kiev dhe Kharkiv, dy qytete të mëdha ku kanë ndodhur granatime të shtëpive të banuara. Por, raportuesit kanë mbetur me trupat në Donbas.
Megjithatë, në edicionin e lajmeve të mesditës “NTV”-ja më në fund raporton për granatimet në qytetin Kharkiv. Megjithatë, ajo i hedh poshtë lajmet që forcat ruse janë përgjegjëse për këto veprime, duke i quajtur si “të rreme”.
Duke e shikuar nga trajektorja e raketës, sulmi është nisur nga veriperëndimi ku nuk ka fare forca ruse”, thotë prezantuesi rus gjatë edicionit të lajmeve të orës 16:00 të kohës së Moskës. Katër orë më vonë një bllok lajmesh nga “Rossiya 1” shkon më tej duke e fajësuar vetë Ukrainën për këtë sulm.
“Ta sulmosh Kharkivin dhe ta fajësosh Rusinë. Ukraina po e sulmon vetveten dhe po e gënjen Perëndimin. Por, a është e mundur t’i mashtrosh njerëzit?” pyet “Rossiya 1”.
Gjatë një blloku lajmesh të orës 17:00, prezantuesja e “Rossiya 1” përshkruan atë se çfarë ajo thotë se është “objektivi kryesor” i Rusisë në Ukrainë: “Mbrojtja e Rusisë nga kërcënimet e Perëndimit, që po e përdor popullsinë ukrainase në përballjen me Moskën”.
Për të kundërshtuar ato që po përshkruhen si “lajme të rreme dhe thashetheme” që po qarkullojnë në internet, ajo bën të ditur që qeveria e Rusisë po lanson një faqe të re ku “vetëm informatat e vërteta do të publikohen”.
Stacioneve televizive po u kërkohet nga mbikëqyrësi i mediave, “Roskomnadzor”, të ndjekin faqen zyrtare. Por, kjo nuk do të thotë që nuk kishte larmi në tonin e lajmeve të së martës. Përderisa blloku i lajmeve po fliste rreth krimeve të luftës së Ukrainës, Vyacheslav Nikonov, prezantues i emisionit “The Great Game” në “Kanalin 1”, foli rreth dashurisë që ka për Ukrainën.
“E dua shumë Ukrainën, i dua ukrainasit. E kam vizituar Ukrainën shumë herë për raste të ndryshme. Me të vërtetë është një vend i mrekullueshëm. Mendoj që Rusia, sigurisht, do që ajo të jetë vend i begatë dhe mik… Ne kemi të drejtë. Duhet të jemi fitimtarë”.
Një numër i madh i të rinjve rusë informohen nga faqe të pavarura ose nga rrjetet sociale dhe sa më shumë të zgjatet lufta, aq më shumë fotografi dhe video të ushtarëve të vdekur dhe të të burgosurve do të qarkullojnë. Por autoritetet po iu përgjigjen duke iu drejtuar faqeve të pavarura.
“Roskomnadzor” e ka urdhëruar rrjetin social TikTok që t’i fshijë përmbajtjet ushtarake dhe politike për të miturit, duke u ankuar që “këto përmbajtje, në të shumtën e rasteve kanë karakter antirus”. Gjithashtu i ka kërkuar Googles t’i fshijë informacionet që i quan si të rreme për humbjet e raportuara të ushtrisë ruse dhe “Reuters” raporton që ka riimponuar ngadalësim në Twitter për postet rreth “lajmeve të rreme” të “operacioneve speciale ushtarake” të Moskës si dhe ka ndaluar qasjen në Facebook.
“Roskomnadzor” i ka udhëzuar mediat që të marrin informacione vetëm nga burimet zyrtare ruse kur raportojnë për pushtimin rus, duke kërkuar që t’i heqin raportimet që iu referohen “deklaratë lufte” ose “pushtim”. I ka kërcënuar mediat me gjoba dhe bllokime nëse i shpërfillin këto kërkesa. Faqet e kanalit televiziv të pavarur “Dozhd” dhe radiostacioni popullor liberal “Ekho Moskvy” janë bllokuar për thirrje për dhunë dhe ekstremizëm dhe “shpërndarje të lajmeve të rrejshme rreth veprimeve të ushtrisë ruse”.
Përktheu: Shukrie Sadiku