Gdanski, qytet në Poloni, ka hapur dyert për refugjatët ukrainas. Janë të shumta pikat ku grumbullohen refugjatët, e numri i vullnetarëve polakë është i madh. Polonia u ka bërë strehë edhe gazetarëve e aktivistëve nga Ukraina, të cilët rrezikojnë të kidnapohen ose vriten nga pushteti i Putinit për shkak të qëndrimeve të tyre. Një nga ta është edhe aktivistja, Irena Zemliana, e cila ka rrëfyer për KOHËN eksperiencën e saj, e gazetarja ruse nuk preferon të flasë për luftën në Ukrainë
Gdansk, Varshavë, 19 mars – Natën e 23 shkurtit gazetarja dhe ekspertja e medias, ukrainasja Irena Zemlyana, nuk kishte venë gjumë në sy.
Si gazetare dinte më shumë sesa pjesa më e madhe e qytetarëve të Ukrainës. Kishte pritur zgjuar deri sa u dëgjua bomba e parë.
“U telefonova miqve dhe u thashë që lufta tashmë nisi”, thotë Zemlyana gati një muaj pasi Rusia filloi pushtimin e Ukrainës.
Pak orë më pas ajo u largua nga Ukraina. Jeta e saj ishte në rrezik, veçmas për shkak të kauzave që pushteti i Vladimir Putinit i cilëson si shumë “pro ukrainase”.
“Po, kam qenë në rrezik, sepse na është thënë që rusët janë duke e përgatitur një listë të aktivistëve pro ukrainas që t’i gjejnë, kidnapojnë dhe t’i vrasin. Më është thënë që unë jam në atë listë kështu që më kanë rekomanduar autoritetet që të largohem nga vendi”, thotë Zemlyana.

Polonia u bë strehë e sigurt e saj, por edhe mundësi që t’u dilte në ndihmë refugjatëve të shtetit të saj, të cilët Poloninë po e përdorin si pikën e parë dhe më të sigurt për t’i shpëtuar vdekjes.
Këtë vit ajo planifikonte të martohej e të fillonte një jetë të re, por jo një të tillë çfarë tashmë e ka nisur qysh para një muaji.
Prindërit e shoqërinë i ka ende në Ukrainë. Me një pjesë të tyre nuk ka kontaktuar qysh prej 2 marsit, dita kur bombardimet nisën në qytetin e Mariupolit. Por siç thotë ajo, askush më nuk është i sigurt në Ukrainë.
“Aty nuk ka siguri për askënd. Nuk dihet kurrë se kur dhe ku mund të fillojnë bombardimet”, tregon ajo.
Zemlyana tash nga Polonia flet shumë për atë së çfarë po ndodh në Ukrainë. Por nuk është fort e gatshme të ulet në një tavolinë me gazetarë rusë, të cilët sipas saj po e ndihmojnë luftën nëpërmjet propagandës. Nuk pranon të flasë as me gazetarët rusë që nuk distancohen prej mediave pro-Putin.

Ajo ishte e ftuar në një panel së bashku me gazetarë nga Rusia e Bjellorusia që ka dalë haptazi në përkrahje të luftës së Putinit.
Temë kryesore ishte lufta në Ukrainë. Paneli u hap nga gazetarë bjellorusë.
“Lufta po ndodh në Ukrainë, po flitet për Ukrainë, ndërsa dikush tjetër flet para meje”, thotë e revoltuar Zemlyana.

Dy “të vërtetat” e Moskës
Në një vend anëtare e NATO-s, si Polonia, ku rreziku nga lufta është i vogël, po diskutohej edhe për raportet e gazetarëve e gjetjen e zgjidhjeve.
“Gazetarët kidnapohen, lëndohen ose vriten në Ukrainë. Nuk mund të flitet tash për zgjidhje. Ju mund të më quani emocionale, por po jam, më falni pra për këtë”, tha Zemlyana dhe braktisi panelin tek u zhvendos në audiencë.
Por, pushteti i Putinit nuk po e lufton vetëm Ukrainën. Brenda në Rusi po i lufton mediat e lira dhe të pavarura.
Gazetarja ruse, Anna Kireeva, i ka treguar të premten KOHËS për dy të vërtetat e Moskës.
“Mbulimi dallon shumë kur janë në pyetje mediat shtetërore ose mediat e vetëquajtura të pavarura. Ato mbulojnë të njëjtën gjë, por absolutisht nga kënde të ndryshme. Përdorin fjalë të ndryshme për ta përshkruar, përdorin shembuj të ndryshëm për të provuar kush e ka mirë e kush e ka gabim. Pra, kur e shikoni televizionin shtetëror dhe lexoni media online të pavarura e keni ndjenjën që janë dy anë të pasqyrës”, ka thënë ajo. “Tash çdo ditë e më shumë ka ndalesa për gazetarët e redaktorët”.
Vetë ajo thotë së nuk është kërcënuar ndonjëherë.
“Unë e përcjelli politikën ndërkombëtare. Jo, kurrë nuk kam pasur kërcënime”, përgjigjet ajo.
Por nuk preferon të japë asnjë lloj përgjigje për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
“A mund të mos flasim për këtë?”, thotë ajo.
Rusia, prej 4 marsit, ka miratuar ligj që parasheh dënime nëse ajo çfarë po ngjan në Ukrainë të quhet luftë. Deri në 15 vjet burgim është dënimi për ato që Moska i quan “thirrje kundër angazhimit të trupave ruse, për të mbrojtur interesat e Rusisë” apo për “diskreditim të forcës së tillë”. Protestuesit kundër luftës në Ukrainë arrestohen përditë.
Për dallim nga gazetarja ruse, njerëzit në Poloni duan të flasin për situatën në Ukrainë.

Flamujt e vullnetarët e solidarizimit
Në Varshavë e në Gdansk ku ka qëndruar KOHA këto ditë, flamujt e Ukrainës janë të shpërndarë gjithandej. Gdanski ka distancë me qytetin kufitar të Ukrainës, Lviv, mbi 600 kilometra e që ndodhet vetëm 10 kilometra larg kufirit me Poloninë. Nga kjo pikë kufitare janë larguar shumica e refugjatëve ukrainas, për shkak që kjo pjesë konsiderohet korridor i sigurt për kalim.
Shumë refugjatë ukrainas kanë arritur në Gdanskun në breg të Baltikut.
Në qendër të qytetit, një flamur i Ukrainës me përmasa gati sa të një objekti. Mbi këtë flamur, me të kuqe është e shkruar: “Solidaritet për Ukrainën”.
Numri i njerëzve që hyjnë e dalin nga aty është i madh.
Objekti ruhet nga Policia e qasja për media lejohet, por jo edhe incizimi.
Kjo qendër e qendra të tjera përreth janë pikat e para të kontaktit me refugjatët.
Të gjitha pikat janë në afërsi të stacionit kryesor të trenit. Shumica e refugjatëve vijnë me tren.
Brenda në stacion ka shumë vullnetarë, kryesisht të rinj. Mbajnë të veshur jelekë, me ngjyrë të gjelbër, për t’u rënë në sy më lehtë refugjatëve.
Anna është 22-vjeçare. Ajo pret tek peronet e trenit, nëse arrin ndonjë refugjat. E drejton te pika e parë e vullnetarëve që është ngjitur objektit të stacionit të trenit. Aty refugjatëve u ofrohet ushqim i nxehtë, numra të telefonit e më pas u merren të dhënat për t’ua mundësuar strehimin në qytet.
Një pjesë e vullnetarëve, aktivitetin në këto pika e bëjnë pas orarit të rregullt të punës. Kësisoj vepron Piotwr Sawicki. Tash e gati një muaj është vullnetar në Gdansk. Thotë që nuk ka qenë ndonjëherë në Ukrainë, nuk ka ndonjë familjar a mik atje.
Por, aktiviteti e tij ka të bëjë me empati e humanizëm.
“Nuk kam asnjë familjar, nuk e kam gruan ose prindërit nga ky shtet. Megjithatë, është njerëzore të ndihmohet. Çfarë është duke ndodhur atje, është thjesht johumane”, ka thënë ai.
Pothuajse sistemi identik i ndihmës është edhe në qytetin e Varshavës.
Posa dikush zbret me valixhe në stacion, qytetarët u ofrohen për t’i pyetur nëse janë nga Ukraina dhe nëse kanë nevojë për ndihmë.
Një gjë të tillë e tregon një qytetare e Ukrainës, e cila jeton qe disa vjet në Poloni.
“Na kanë ndihmuar shumë. Polonia ua ka shpëtuar jetën aq shumë ukrainasve. Do t’u jemi falënderues për gjithë jetën”, thotë Irena.
Kjo grua rreth të dyzetave thotë se pas disa ditësh do të rikthehet vetë në Ukrainë, për t’u siguruar që familja dhe rrethi i saj janë mirë.
“Tash nuk mund të qaj, sepse kam qarë shumë më herët. Kam pasur sulm paniku. Kam qenë vullnetare dhe i kam ndihmuar refugjatët e Ukrainës që kanë ardhur në Poloni. Nuk dua të flas fjalë të këqija, por ju dëshiroj rusëve vetëm gjëra të këqija. Ata nuk janë njerëz, nuk duhet të krahasohen as me kafshë. Kafshët nuk e dëmtojnë dikë në këtë mënyrë”, thotë ajo.