Në shikim të parë, Gdansku nuk duket ndryshe nga shumica e qyteteve të Evropës së sotme demokratike, në të cilat bashkëjetojnë historia qindravjeçare dhe arritjet e fundit teknologjike e shoqërore.
I vendosur në brigjet e Detit Baltik, në veri të vendit, me rreth 470.000 mijë banorët që ka, Gdansku është qyteti i gjashtë për nga madhësia në Poloni. Në historinë e vet më shumë se njëmijëvjeçare, qyteti ka ndërruar disa sundues, prej të cilëve kohën më të gjatë ishte nën administrimin gjerman dhe të Prusisë, shkruan sot “Koha Ditore”.
Udhërrëfyesja Katarzyna Tuszyńska tregon se koha nën sundimin gjerman kishte lënë shenja në arkitekturën e qytetit. Këto shenja, me gjasë, do të kishin qenë edhe të dukshme po të mos kishte një përpjekje nga Qeveria polake pas Luftës së Dytë Botërore, që rindërtimin e qytetit të vjetër (që ishte bërë rrafsh me tokën nga bombardimet naziste dhe të aleatëve) ta bëjnë në stilin holandez dhe jo atë gjerman.
Sot pjesa e vjetër e qytetit – që përgjithësisht kalohet nëpër të ashtuquajturën Rrugë e Mbretit me Rrugën dhe Sheshin e Gjatë në mes – më shumë e kujton Amsterdamin sesa ndonjë qytet gjerman. Tipike për këtë ristilizim të qytetit duket të jenë ndërtesat skaj lumit Motlawa dhe ndoshta rruga më e bukur e qytetit të vjetër, “Mariacka”, që ndryshe njihet edhe si “Rruga e qelibarit”.
Megjithatë, qyteti Gdansk - të cilin gjermanët e quajnë Danzig - mbetet pikë e rëndësishme edhe në historinë dhe kulturën gjermane. Aty, mes tjerash, janë lindur disa prej personaliteteve të shquara gjermane – prej filozofit Arthur Schopenhauer deri te shkrimtari nobelist Gunter Grass.
Edhe humanisti i ndjerë gjerman, Rupert Neudeck, i njohur për ndihma të shumta që i ka bërë Kosovës dhe popullit shqiptar gjatë dhe pas luftës së viteve 1998-1999, është lindur në Gdansk. Natyrisht, si qytet historikisht polak, Gdansk është vendlindje edhe e shumë personaliteteve polake, mes të cilëve edhe e ish-kryeministrit të Polonisë dhe president i deritanishëm i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Megjithatë, me gjithë historinë e gjatë dhe të pasur - përfshirë atë të kohës së rezistencës ndaj nazizmit - në mbamendjen evropiane, Gdansku mbetet emër i dalluar më së shumti për rolin që kishte në rrëzimin e sistemit.
(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)