Pablo González, gazetar spanjoll, është arrestuar në Poloni nën akuzat për spiunazh. Aktivistja ruse, Zhanna Nemtsova, rrëfen për takimin me të pas vdekjes së babait të saj aktivist. Atë ditë në Strasbourg, Gonzálezi e ka pyetur Nemstovan për një intervistë për një gazetë në rajonin bask. Ajo ka refuzuar në fillim. Por gazetari dalëngadalë ka filluar të shfaqet në rrethin e saj: nëpër ngjarje, në intervista të regjistruara, apo tubime. Tani ajo rrëfen për paranojën që ka pasur në jetën e saj për shkak të “mikut” gazetar.
Në fillim të gushtit të këtij viti, Pablo González është marrë nga një burg i Polonisë dhe është dërguar në Moskë në një aeroplan që mbante agjentë të fshehtë rusë, hakerë dhe një vrasës me pagesë nga Shërbimi Federal i Sigurisë.
Grupi është pritur në aeroport me tapet të kuq, nga një rojë ushtarake dhe nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili i është falënderuar për shërbimin besnik ndaj vendit.
Në pamjet nga ajo natë në Moskë, shihet Gonzálezi, duke buzëqeshur teksa ia shtrëngon dorën presidentit Putin në fund të shkallëve të aeroplanit. Me mjekër të zezë, me kokë të rruar dhe shndritëse, ai mbante veshur një bluzë me Star Wars ku shkruhej “Mbretëria ka nevojë për ju”.
I njohur nga miqtë e tij rusë si “Pablo, gazetari bask”, 42-vjeçari ishte pjesë e një shkëmbimi të madh të burgosurish me perëndimorët e mbajtur në burgjet ruse dhe disidentët rusë.
Në grupin e liruar nga Putini kanë qenë dy aktivistë të opozitës, për spiunimin e të cilëve është akuzuar González.
Ai ishte arrestuar në Poloni në vitin 2022 për spiunazh të supozuar.
“Pata dyshimet e mia të para në vitin 2019. Vetëm m’u shfaq”, ka thënë Zhanna Nemtsova, në intervistën e parë që ka dhënë për burrin që e ka spiunuar.
Ata të dy janë takuar në vitin 2016 në një ngjarje për hetimin e vrasjes së babait të saj. Boris Nemstov, kundërshtar i vendosur i Vladimir Putinit, që ishte vrarë një vit më parë, pikërisht afër Kremlinit.
Vajza e tij – vetë kritike e zëshme e Putinit – në fund është zhvendosur në Evropë për sigurinë e saj.
Atë ditë në Strasbourg, Pablo González e ka pyetur Nemstovan për një intervistë për një gazetë në rajonin bask. Ajo ka refuzuar në fillim. Por gazetari – spanjoll me rrënjë ruse - dalëngadalë ka filluar të shfaqet në rrethin e saj: nëpër ngjarje, në intervista të regjistruara, apo tubime.
Tani që e ka menduar, Nemtsovas i kujtohet se ishte bërë shumë e kujdesshme.
“Ndava dyshimet e mia me disa njerëz dhe ata më thanë, ‘Jo, kjo nuk është e vërtetë!’ Njerëzit të shohin si të çmendur kur flet për disa gjëra. Mund të mendojnë se jam paranojake. Por kisha absolutisht të drejtë”.
Prandaj, ajo ka vendosur të flasë haptazi tani për atë që i ka ndodhur.

“Kërcënimi nuk është diçka që e lexon vetëm në libra ose e sheh vetëm në filma”
“Dua që njerëzit e tjerë të jenë shumë të kujdesshëm”, ka shpjeguar Nemtsova. “Kërcënimi nuk është diçka që e lexon vetëm në libra ose e sheh vetëm në filma. Është këtu”.
Gonzálezi është akuzuar për spiunazh një javë pasi është larguar nga Polonia, me fluturimin për në Moskë si pjesë e shkëmbimit të të burgosurve në gusht. Deri atëherë, ai i kishte kaluar më shumë se dy vjet i burgosur, në pritje të gjyqit.
Tërë kohën, prokurorët polakë i kanë shmangur pyetjet rreth çështjes dhe procesit. Burimet e inteligjencës mbeten të paqarta. Avokati polak që e përfaqësoi i pari Gonzálezin ka thënë se nuk mund të komentojë.
Deri në momentin e arrestimit të tij, Gonzálezi ka qenë duke jetuar në Varshavë për të paktën tri vjet, shumicën e asaj kohe me të dashurën e tij polake. Ai ishte gazetar i pavarur, duke punuar kryesisht për shtypin në gjuhën spanjolle.
Ai ka raportuar nga lufta në Nagorno-Karabakh dhe ka udhëtuar për në Ukrainë. Në një pikë, ai i është bashkuar një udhëtimi për në Siri, të udhëhequr nga Ministria ruse e Mbrojtjes, gjithmonë e kujdesshme për atë që zgjedh.
Në vitin 2022, ai është arrestuar shkurtimisht në Ukrainë, edhe pse Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës nuk ka dhënë detaje. Pastaj, më 28 shkurt, Gonzálezi është arrestuar në Przemysl, Poloni lindore, ku ishte pjesë e grupit që merrej me fillimin e luftës në Ukrainë nga Rusia.
Arsyeja e arrestimit nuk është bërë publike.
Vitin e kaluar, Zhanna Nemtsovas i janë treguar provat e aktivitetit të Gonzálezit si pjesë e hetimit kriminal.
“Nuk kam dyshime se ai ishte spiun. Jam e sigurt, 100 për qind”, ka thënë ajo.
Nemtsovas i është ndaluar ndarja e detajeve të provave. Si rezultat, asaj i është dashur të shikonte njerëzit që vazhdimisht deklarojnë se Gonzálezi është i pafajshëm.
“Është e frikshme... Ata të shohin si armik”
“Është e frikshme. Nuk duhet ta shohim si gjë të vogël. Këta njerëz nuk kanë moral. Ata të shohin si armik”, ka paralajmëruar ajo, duke iu referuar agjentëve rusë të inteligjencës.
Edhe pse Nemtsova ka thënë se asnjëherë nuk e ka parë Gonzálezin si shok të vërtetë, ai ka punuar të futet në rrethin e saj. Ai ka qenë duke informuar për grupin që nga fillimi, ka thënë ajo.
“Ai mund të jetë shumë simpatik, ai di si të komunikojë me njerëzit, t’i bëjnë të ndihen mirë”, ka thënë Nemstova.
Ish-burri i saj, Pavel Elizarov, ka rënë dakord. Ai dhe Gonzálezi ishin “mjaft të afërt për një kohë”. Ai e ka vizituar në Spanjë, kanë folur për politikë dhe turizëm. Ai e ka prezantuar me shokët e tij.
Ilya Yashin, një tjetër aktivist, ka shkuar në ndeshje futbolli me Gonzálezin në Spanjë dhe madje edhe kanë blerë rroba bashkë. Kur Gonzálezi është liruar në shkëmbimin e të burgosurve, Yashini ka qenë një nga të shkëmbyerit: ishte arrestuar në Rusi për dënimin e luftës në Ukrainë.
Vadim Prokhorovit, avokatit të familjes Nemstov, i është kujtuar një detaj tjetër.
“Ai pinte si rus”, ka thënë Prokhorov. “Ai ka qenë në gjendje të konsumojë sasi të madhe të alkoolit, pa i lënë shenjë. Ne duhet të kishim dyshuar që atëherë!”
Gonzálezi është pyetur për intervistë përmes gruas së tij që jeton në Spanjë. Deri më tani nuk ka dhënë përgjigje.
Në vend të kësaj, ai është shfaqur në transmetuesin televiziv të kontrolluar nga Kremlini, ku shihet duke ecur në periferi të Moskës, duke treguar me rusishte të përsosur për fëmijërinë e tij.
Ai ka thënë se u lind dhe u emërua si Pavel Rubtsov – akoma e ka këtë emër në pasaportën ruse.
Emri i tij është ndërruar në Pablo González kur është zhvendosur me nënën e tij në Spanjë, në vitin 1991. Gjyshi i tij ishte evakuuar në BRSS gjatë Luftës Civile spanjolle, kështu që Paveli dhe nëna e tij kishin të drejtën e nënshtetësisë spanjolle.
Kjo e ka bërë atë materialin ideal të rekrutimit për inteligjencën ruse, por raporti i televizionit të shtetit ka deklaruar se Polonia nuk kishte prova për këtë.
“Ata më kërcënuan dhe më bënë presion”, ka thënë Gonzálezi me zërin jashtëzakonisht të thellë. “Unë i pyeta: ‘Çfarë bëra?’ dhe ata më thanë: ‘E dini’. Por unë nuk e dija”.
Asnjëri nga të intervistuarit nuk e ka karakterizuar Gonzálezin si fans të Putinit, edhe pse Zhanna Nemtsova ka thënë se ishin “në anë të ndryshme të spektrit politik”.
“Nuk kam marrë ndjenjë pro-ruse nga ai”, ka thënë një kontakt polak.
Por në televizionin rus, Gonzálezi është mjaft i emocionuar kur e përshkruan takimin me “Vladimir Vladimirovich Putin” në aeroportin Vnukovo në Moskë.
Duke zbritur shkallët e aeroplanit, ai ka thënë se ka qenë duke i “praktikuar” mënyrat, me të cilat do ta përshëndeste presidentin. “Doja të isha i sigurt se shtrëngimi i dorës ishte i fortë dhe burrëror”, ka shpjeguar Gonzálezi, me një buzëqeshje të madhe.
Kur ai është arrestuar, hetuesit polakë kanë zbuluar raporte që detajonin lëvizje, kontake dhe profile të njerëzve që datonin para disa viteve.

“Aktivistët rusë të opozitës janë njëra shënjestër”
Aktivistët rusë të opozitës janë njëra shënjestër, duke i përfshirë të afërm të Zhanna Nemtsovas. Ka një raport për të paktën një qytetar polak, si dhe për studentët e shkollës verore të gazetarisë, të udhëhequr nga Nemtsova. Hetuesit gjithashtu kanë gjetur emaile që Gonzálezi i ka kopjuar nga një laptop i huazuar.
Nuk dihet se kujt i janë dërguar këto raporte, por ato listojnë shpenzimet e bëra për mbledhjen e informacionit, duke i përfshirë kostot e transportit. “Kishte shumë detaje, duke përfshirë atë që hëngrën për drekë”, ka thënë një burim.
Në disa raste, ka thënë burimi, janë shtuar pyetje, me sa duket nga një epror që kërkon sqarime ose më shumë detaje.
Një nga raportet është sa i përket udhëtimit të shtypit për në Siri nga ministria ruse ku ka shkuar Gonzálezi, edhe pse fokusi i saj kryesor është kritika ndaj ministrisë për organizim të dobët të udhëtimit.
Fleta zyrtare e akuzës e akuzon Gonzálezin për spiunazh - domethënë për sigurim të inteligjencës, përhapje të dezinformatave dhe “kryerje të një hetimi operativ” për inteligjencën ushtarake ruse, GRU.
Është thënë se disa raporte janë “josistematike” dhe përfshijnë informacion të marrë nga interneti. “Disa kishin shumë shkrim, me 10 faqe në vend të një. Ndoshta për të marrë më shumë fonde”, sipas burimit.
Pjesa e parë përputhet me komentet e një miku të ngushtë të Gonzálezit, i cili ka thënë se ishte “pak dembel”.
Saktësia e raporteve përkeqësohet dukshëm pas vitit 2018, me më pak shënime ose korrigjime nga një oficer i lartë ose mbikëqyrës. Mund të jetë rastësi, por kjo ndodhi kur një numër i madh i qasjeve të inteligjencës ruse u dëbuan nga Evropa, pasi agjenti i dyfishtë, Sergei Skripal dhe vajza e tij u helmuan në qytetin britanik, Salisbury.
Dhe, edhe pse aktivistët rusë që janë shoqëruar me Gonzálezin janë të tronditur kur kanë mësuar se ai i ka tradhtuar, ata vënë në dyshim se ai ka pasur qasje në informacione të rëndësishme.
“Ne nuk e kemi shprehi të ndajmë informacione të tilla me dikë, meqë e dinim se do përballeshim me probleme të tilla”, ka konfirmuar Zhanna Nemtsova.
“Çfarëdo që i tregonim, u tregonim edhe të tjerëve në publik”, ka thënë politikani opozitar Vladimir Kara-Murza, pas lirimit të tij në shkëmbimin e pengjeve.
Një burim është përpjekur ta minimizojë rastin kundër Gonzálezit, duke e përshkruar përmbajtjen e raporteve si “jo serioze”. Por Nemtsova nuk e kundërshton.
“Fjalët e tij janë të rëndësishme për GRU-në. Ata mund të kenë rezultuar në pasoja serioze. Kjo nuk sugjeron se vetë Pablo mund të bënte dëm. Por ka njerëz të tjerë që e bëjnë këtë. Prandaj është serioze”, ka thënë Nemtsova.
Kur Gonzálezi është arrestuar, ka pasur shumë protesta që e akuzonin gazetarin për spiunazh. BE-ja kishte shqetësime serioze për sundimin e ligjit nën qeverinë e mëparshme polake, ndërsa grupe të tilla si Reporterët pa Kufij kanë kërkuar që Gonzálezi të dërgohet në gjyq, të lejohet të mbrohet kundër çdo prove ose të lirohet.
“Kam menduar se ishin gabim për arrestimin e tij”, ka thënë një gazetar polak që e njihte Gonzálezin. “Mendoj se ndoshta ndodhi për të treguar se qeveria është duke bërë diçka ndaj Rusisë”.
Meqenëse Gonzálezi nuk u dënua kurrë, mbështetësit e tij të vendosur ende argumentojnë se Polonia i ka “shpëtuar” një padrejtësie. Por, shumica u heshtën nga shkëmbimi i të burgosurve të muajit të kaluar dhe pritja ceremoniale në Moskë.
Qeveria në Madrid ka qenë veçanërisht e qetë për këtë çështje, që nga fillimi.
“Por ky shkëmbim dhe pritja e Gonzálezit, janë përgjigjja për gjithçka”, ka thënë një zyrtar. Siç e ka thënë ai, do të ishte shumë e çuditshme që Vladimir Putini – shtypës i medias së lirë – ta “shpëtonte” një gazetar të thjeshtë.
Në javët pas kthimit të Gonzálezit në Moskë, skandali i spiunazhit po i shkakton ende dhimbje koke Nemtsovas.
Në vitin 2018 dhe 2019, fondacioni që ka themeluar pas vrasjes së babait e ka ftuar Gonzálezin në Pragë për të dhënë ligjëratë për raportimin e luftës. Shkolla e verës për gazetarët e rinj është mbajtur nga Universiteti Charles.
Tani mediet çeke kanë deklaruar se akademia është “infiltruar”, duke nxitur një student të doktoratës t’i shkruante një letër dramatike Fakultetit të Arteve, duke paralajmëruar se Fondacioni Nemtsov mund të përbëjë kërcënim sigurie “për të gjithë Republikën Çeke”.
Studenti, Aliaksandr Parshankou, ka sugjeruar ta përjashtojë një master të Studimeve Ruse, të mbështetur nga grupi i Nemtsovas. Ai ka thënë se kursi ishte “për definicion një pikë tërheqëse për Putinin” dhe ka bërë thirrje që kursi të përfshinte një paralajmërim se “nuk mund të garantohet” siguria e studentëve.
Nemtsova i ka quajtur pretendimet e studentit “të pabaza dhe manipulative” dhe ai e ka pranuar se nuk ka prova. Por fondacioni është pjesë e trashëgimisë së babait të Nemtsovas dhe ajo ka frikë se qëllimi është “të na dëbojë nga fakulteti”.
“Jam viktimë e spiunazhit”
“Jam viktimë e spiunazhit”, ka protestuar ajo. “Mund t’u ndodhë njerëzve, sikurse mua, por kjo nuk do të thotë se paraqesim kërcënim ndaj Republikës Çeke”.
Gonzálezi është dërguar në Moskë nga Rusia, ku pasaporta e tij e identifikon si Pavel Rubtsov.
Spanja nuk ua heq shtetësinë njerëzve, as atyre që dyshohen për spiunazh. Por Gonzálezi do të duhet të riaplikojë për pasaportën e tij spanjolle.
Shanset që ai të rikthehet atje duken të pakta, për sa kohë që e ka rastin për spiunazh të hapur në BE. Është e paqartë se sa kohë mund të mbetet në pritje ajo çështje.
Sa i përket vizitës së djemve të tij atje, një zyrtar në Madrid është i qartë: “Janë të lirë të shkojnë dhe ta takojnë në Moskë”.
Sapo të demaskohet një agjent i inteligjencës, opsionet dhe lëvizjet e tyre të karrierës janë të limituara.
Rusët e tjerë që e kanë ndjekur rrugën e njëjtë kanë dalë në televizionin e kontrolluar nga shteti. Ndoshta Pablo do ta ristilojë veten si Pavel dhe ta gjejë veten duke e lavdëruar Vladimir Putinin më shumë.
Sa i përket Zhanna Nemtsovas, ajo pretendon se është më e kujdesshme me personat në jetën e saj.
“Tani mendoj gjithmonë për sigurinë”, ka thënë ajo. “Kam menduar për sigurinë time më parë, sepse u largova nga Rusia. Por nuk kam menduar për sigurinë time në Evropë. Tani sigurisht, po. Dhe unë jam e kujdesshme”.