Botë

Gazetari amerikan Gershkovich do të gjykohet në Rusi për spiunazh

Evan Gershkovich

Foto: Associated Press

Gazetari amerikan Evan Gershkovich do të gjykohet në Rusi nën akuzat për spiunazh, kanë thënë prokurorët rusë, raporton “BBC”. 

Gazetari i “Wall Street Journal” është akuzuar se ka mbledhur “informacione sekrete” nga një fabrikë ruse e tankeve “me urdhër të CIA-s”. 

Prokurorët thonë se ai do të paraqitet në gjykatë në Yekaterinburg – qytet ku është arrestuar në mars të vitit të kaluar ndërsa po raportonte për luftën në Ukrainë. 

Gershkovich, mediumi i tij dhe po ashtu SHBA-ja kanë mohuar akuzat. Washingtoni zyrtarisht ka thënë se Gershkovich “është arrestuar gabimisht”. 

Prokurorët rusë thanë të enjten se një hetim ka vërtetuar se gazetari kishte mbledhur “informacione sekrete në lidhje me prodhimin dhe riparimin e pajisjeve ushtarake” nga një fabrikë ruse tankesh. 

Prokuroria e akuzon atë për “kryerjen e veprimeve të paligjshme duke përdorur metoda të mundshme konspirative” dhe se ka vepruar “me udhëzime të CIA-s”. 

Që nga arrestimi i tij, Gershkovich kishte qëndruar në paraburgim në Moskë, mbi 1600 kilometra nga Yekaterinburgu. 

Ai ka kaluar më teprë se një vit prapa grilave dhe nëse shpallet fajtor dënohet me 20 vjet burgim. 

Arrestimi i tij shënoi herën e parë që Rusia e akuzoi një gazetar amerikan për spiunazh që nga koha sovjetike. 

“Wall Street Journal” e ka akuzuar më parë Moskën për “arrestimin e amerikanëve në mënyrë që të jetë në gjendje t’i tregtojnë ata në data të mëvonshme”. 

Zyrtarët rusë po e kanë të vështirë ta fshehin faktin se gazetarin amerikan po e shohin si mjet pazaresh.

Në fillim të këtij viti, në një intervishtë me Tucker Carlsonin, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin tha se besonte se mund të arrihet marrëveshje për lirimin e Gershkovichit.