Botë

Gati të plasë belaja Itali-Kroaci për “Proseccon”

Qeveria italiane është zotuar se do ta mbrojë emrin e “Proseccos” dhe të prodhuesve të tjerë të produkteve të mbrojtshme me rrënjë të dallueshme gjeografike, duke filluar prej djathit italian “Parmigiano Reggiano” deri te shampanja franceze; po mobilizohet pasi që Komisioni Evropian përgatitet të marrë vendim në lidhje me peticionin e Kroacisë që të emërtojë verën e vet me emrin tradicional “Prosek”

Në qoshet e ngushta të një toke valë-valë në gjirin që ndahet në mes Italisë, Sllovenisë dhe Kroacisë, Milos Skabar po ringjall traditën shekullore të vjetër të prodhimit të verës, e njohur si “Presokar”, e që rrënjët i ka nga “kushërira” e vet më e njohur “Prosecco”.

Por kjo përzierje me gaz, virtualisht e panjohur përtej portit të qytetit italian të Triestes, ku bashkohet me vijën tokësore në mes Detit Adriatik dhe Sllovenisë, ka çuar deri në një mosmarrëveshje që është gati të shpërthejë: Prodhuesit e verës së gazuar të famshme italiane “Prosecco” po luftojnë kundrejt prodhuesve kroatë të verës për të parandaluar përdorimin e emrit “Prosek” për verën e tyre të ëmbël.

Shenjtërimi i verës

Image

Disa prodhues të verës “Prosekar” shpresojnë të përdorin lidhshmëritë e tyre me vendlindjen e “Proseccos”, pak mbi Trieste, që të përfitojnë nam më të madh për verën e tyre, por në të njëjtën kohe ata brengosen që nami i tyre është në rrezik.

“Vera ‘Prosekar’ është origjinalja, sepse ka lindur 300 vjet para ‘Proseccos’”, tha Skabar, duke soditur vreshtarinë e tij me pamje nga porti, me kodrinat e Sllovenisë si një vijë e gjelbër e errët në largësi. “Kështu që ai është ‘babai’ i ‘Prosekar’, ‘Proseccos’, ‘Prosekut’ dhe të gjithë të tjerëve”

Në rrezik prej lufte nuk është vetëm shenjtërimi i “Proseccos”, vera më shitur e botës, po gjithashtu edhe sistemi i emërtimeve gjeografike të Bashkimit Evropian, i krijuar që të garantojë dallueshmërinë dhe kualitetin e ushqimeve artizanale - verë dhe raki - pohojnë mbrojtësit. Ky treg kap vlerën prej 75 milionë eurove në vit, gjysma prej tyre në verëra, sipas një studimi të vitit 2020 të Komisionit Evropian, degë ekzekutive e Bashkimit Evropian.

Qeveria italiane është zotuar se do ta mbrojë emrin e “Proseccos” dhe të prodhuesve të tjerë të produkteve të mbrojtshme me rrënjë të dallueshme gjeografike, duke filluar prej djathit italian “Parmigiano Reggiano” deri te shampanja franceze, po mobilizohen pasi që Komisioni Evropian përgatitet të marrë vendim në lidhje me peticionin e Kroacisë që të emërtojë verën e vet me emrin tradicional “Prosek”.

Argumenti kroat

Image

“Problemi për ne nuk është qe këta prodhues, e që përbëjnë një numër të vogël të shisheve, hyjnë në tregun tonë. Por është konfuzioni që mund të krijohet në mes të konsumatorëve”, theksoi Luca Giavi, drejtor i përgjithshëm i konsorciumit të “Prosecco DOC”, që e promovon “Proseccon” dhe që mbikëqyr kualitetin e verërave nën emërtimin e kontrollimit të origjinës së Bashkimit Evropian.

“Prosecco” ka shitje vjetore prej 2.4 milionë eurove, shumica prej tyre nga eksporti.

“Çdokush e sheh situatën si rrezik për suksesin tonë”, tha prodhuesi Stefano Zanetti, me blerës anembanë botës, që sipas të gjitha gjasave nuk janë në gjendje të bëjnë dallimet në mes të emrave të ngjashëm.

Kroacia argumenton që tradita dhe emri “Prosek” janë të vjetër me shekuj, duke i paraprirë mbrojtjes së “Proseccos” nga sistemi i Bashkimit Evropian, dhe që vendosja e saj si verë për desert e bën të dallueshme nga “Prosecco”.

“Konsumatorët nuk do të kenë huti nga kjo”, theksoi Ladislav Iliçiq, deputet kroat në Parlamentin Evropian, në një debat së fundmi. “’Prosek’ duhet që ligjërisht të marrë vulën e vendit të origjinës dhe prodhuesit duhet të kenë qasje të plotë në tregje”, përfundoi ai.

Federata Evropiane me Italinë

Image

Federata Evropiane e Origjinave të Verërave, me bazë në Bruksel, po përgatit një nismë që përkrah Italinë. Federata beson se vendimi i Komisionit Evropian për dëgjimin e rastit ka sfiduar përpjekjet e veta që shtetet e tjera dhe blloqet tregtare të njohin sistemin e shpërndarjes gjeografike të Bashkimit Evropian.

Mosmarrëveshja, për të cilën do të vendoset në muajt e ardhshëm, ka të ngjarë të zhvendoset në temën mbi origjinën e “Proseccos”, që buron nga fshati italian dygjuhësor i Proseccos, afër kufirit slloven mbi Trieste, aty ku prodhimtaria e verës njëherë pati shpërthyer.

Është këtu prej nga vjen origjina e rrushit, i njohur si Glera (baza e “Proseccos” dhe “Prosekas”), pohojnë vendësit slloveno-italianë që e bëjnë “Prosekarin”.

Por, përveç rrënjëve të përbashkëta etimologjike, “Prosekar”, “Prosecco” dhe “Prosek” kanë fare pak gjëra të tjera të përbashkëta.

“Prosecco”, i prodhuar kryesisht nga rrushi “Glera”, prodhohet nga tri konsorciume të shtrira në nëntë provinca italiane në Rrafshnaltat e Alpeve që harkojnë përgjatë Detit Adriatik. Ato sjellin në treg më se 550 milionë shishe në vit.

Dallimet

“Prosek” është një verë e ëmbël, e bërë në Dalmaci me varietetet e rrushit të tharë vendor kroat, asnjë prej tyre “Glera”, dhe mund të jetë e kuqe ose e bardhë.

“Prosekar”, në anën tjetër, është bashkëdyzim i barabartë i rrushit ”Glera” dhe varieteteve të tjera të rrushit, e bërë nga më pak se një dozë mikroprodhuesish. Dekada me parë “Prosekar” ishe kryesisht e prodhuar në shtëpi dhe e shpërndarë mes miqsh, familjeve dhe fqinjëve, shpesh e shërbyer në ndeja të atypëratyshme nëpër shtëpi private.

Prodhuesit e “Proseccos” u barten që t’i mbrojnë kushtet aq të dëshiruara të përshtatshme gjeografike 12 vjet më parë, pasi panë që prodhuesit e verës në Italinë verilindore humbën të drejtën e përdorimit të emrit “Toca” në një vendim të Evropës, që mbrojti verërat e prodhuara në rajonin Tokaji në Hungari. Në Itali, “Tocai” ishe thjesht emri i një lloji të rrushit, pa pasur ndërlidhje gjeografike. Vendimi i marrë zhgënjeu përpunuesit friulianë të “Tocait”, që vuajtën të gjenin treg me emrin e ri: “Friulano”.

Të dy rajonet italiane dhe kroate, duke u kacafytur për emrin e “Proseccos”, ndanë historinë e Venecias dhe pastaj te kontrollit austro-hungarez, duke përfshirë periudhën kur “Prosecco” migroi në veriperëndim, deri në Italinë e ditëve të sotme, në jug, përgjatë bregdetit Dalmat të Kroacisë.

Mbrojtësit e “Proseccos” thonë që emri “Prosek” kurrë nuk është përdorur në mënyrë uniforme dhe është sjellë të nënkuptojë mënyrë gjeneroze për verë që shërbehet me desert.

Vulë e fshatit

Dokumentet e shkruara e lidhin fshatin e Proseccos me verën, aq herët sa deri në vitet 1600 dhe 1700, kur verërat quheshin “të Proseccos”, që shënjojnë fshatin e tyre të origjinës, pohoi historiani i verërave Stefano Cosma. “Në vitet 1800 ajo ishte tashmë verë e gazuar”, shtoi ai.

Në ditët e sotme të “Proseccos”, verëtarët e “Prosekarit” shpresojnë që për shkak se Bashkimi Evropian ka përfshirë vetë fshatin në territorin gjeografik për verë të mbrojtur, ata ndoshta mund të kenë një shtytje në zgjerimin e tregut për “Prosekarin”, për të cilën ata thonë që për herë të parë është prodhuar në vitin 1548.

Por për shkak se vera e tyre nuk e ka fituar vulën për origjinën e produktit sipas politikave të Bashkimit Evropian, prodhuesve të “Prosekar” u ndalohet përdorimi i emrit po aq sa u ndalohet përpunuesve të “Prosekut”. Deri tash ata nuk janë sfiduar, përderisa nuk shesin jashtë Triestes, tha Andrej Bole, nga gjenerata e gjashtë e prodhuesve të verës “Prosekar”.

“Ne jemi të jashtëligjshëm”, tha Bole. Por “tani për tani na tolerohet”.

Ata janë duke punuar me konsorciumin që të mundësohet që vera e tyre të marrë vulën e origjinës, aq shumë të dëshiruar, e cila dhurohet pas çdo sezone të vreshtarisë. Çështja e përdorimit të emrit “Prosekar” në mënyrë ligjore nuk do të zgjidhet derisa ajo paqartësi të marrë fund, theksoi kryetari i konsorciumit.

“Ne duhet t’i shikojmë normat evropiane”, tha Giavi. “Por këtu është ajo mundësi për të cilën ne nuk brengosemi”, përfundoi ai.

Përktheu: Sokol Berisha