Botë

Gati një në 20 vdekje në Kanada vjen nga eutanazia

Kanadë

Shkalla e ndihmës mjekësore për të vdekur, e njohur gjithashtu si eutanazi, është rritur në Kanada për të pestin vit radhazi.

Vendi ka publikuar raportin e tij të pestë vjetor që nga legalizimi i vdekjes së ndihmuar në vitin 2016, i cili për herë të parë përfshinte të dhëna mbi përkatësinë etnike të atyre që kërkonin eutanazi, raporton BBC.

Rreth 15,300 njerëz iu nënshtruan vdekjes së asistuar vitin e kaluar, që përbën 4.7% të vdekjeve në vend. 

Ligjvënësit kanadezë aktualisht po kërkojnë të zgjerojnë qasjen në eutanazi për njerëzit me sëmundje mendore deri në vitin 2027.

Kanadaja është ndër vendet e pakta që kanë futur ligje për vdekjen e asistuar në dekadën e fundit. Shtetet e tjera janë Australia, Zelanda e Re, Spanja dhe Austria.

Shifrat e publikuara të mërkurën nga "Health Canada" tregojnë se shkalla e të vdekurve nga eutanazia në Kanada është rritur me gati 16% në vitin 2023. 

Pothuajse të gjithë ata që kërkuan vdekje të asistuar, apo rreth 96%, kishin një vdekje të parashikueshme natyrore. Pjesës tjetër prej 4% iu dha eutanazia për shkak të një sëmundjeje kronike afatgjatë dhe ku një vdekje natyrale nuk ishte e pashmangshme.

Mosha mesatare e atyre që kërkonin vdekje të asistuar ishte rreth 77 vjeç, teksa sëmundja e kancerit është gjendja mjekësore më e shpeshtë e tyre.

Për herë të parë, raporti hulumtoi edhe të dhënat racore dhe etnike të atyre që vdiqën nga eutanazia.

Rreth 96% e tyre janë identifikuar si njerëz të bardhë, të cilët përbëjnë rreth 70% të popullsisë së Kanadasë. Është e paqartë se çfarë e shkaktoi këtë pabarazi.

Grupi i dytë etnik më i raportuar ishin aziatikët (1.8%), të cilët përbëjnë rreth 5.7% të kanadezëve.