Botë

Gati një e treta e ushtrisë bjelloruse është vendosur përgjatë kufirit me Ukrainën

Alexander Lukashenko

Alexander Lukashenko

Foto: Associated Press

Presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko ka deklaruar të dielën se Ukraina kishte vendosur më shumë se 120,000 trupa në kufirin e saj me Bjellorusinë dhe se si kundërpërgjigje Minsku kishte vendosur gati një të tretën e forcave të saj të armatosura përgjatë gjithë kufirit.

Lukashenko nuk ka treguar saktësisht se sa trupa ishin dislokuar, raporton Reuters.

Ushtria profesionale e Bjellorusisë ka rreth 48,000 trupa dhe rreth 12,000 trupa kufitare shtetërore, sipas Bilancit Ushtarak të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike të vitit 2022.

"Duke parë politikën e tyre agresive, ne kemi futur atje dhe kemi vendosur në pika të caktuara, në rast lufte, ato do të ishin mbrojtje, ushtrinë tonë përgjatë gjithë kufirit”, është cituar të ketë thënë Lukashenko në një intervistë për televizionin shtetëror rus.

Të shtunën, Kievi zyrtar ka thënë se nuk kishte parë shenja të grumbullimit të trupave bjelloruse në kufi.

Udhëheqësi bjellorus, një aleat i Vladimir Putinit, po fliste në sfondin e një inkursioni ukrainas në Rusi që filloi më 6 gusht kur mijëra trupa të Kievit shpërthyen kufirin perëndimor të Rusisë.

Ministri i Mbrojtjes së Bjellorusisë, Viktor Khrenin ka thënë të premten se ekzistonte një probabilitet i lartë i një provokimi të armatosur nga Ukraina fqinje dhe se situata në kufirin e tyre të përbashkët "mbetet e tensionuar".