Një zëdhënës i Gardës Revolucionare të Iranit e ka quajtur të martën presidentin amerikan, Donald Trump, "gënjeshtar të madh", duke e akuzuar atë se po u fsheh amerikanëve të vërtetën rreth programit bërthamor të Iranit dhe efektivitetit të bllokadës iraniane ndaj furnizimeve me energji nga Gjiri.
Zëdhënësi Hossein Mohebbi, u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë që të nxisin qeverinë e tyre që t'i japë fund luftës së SHBA-së kundër Iranit, një mesazh provokues që vjen vetëm disa javë para zgjedhjeve kritike të mesmandatit në Shtetet e Bashkuara.
Mohebbi ka lexuar një letër gjatë një konference për shtyp në kryeqytetin e Iranit, Teheran, duke u bërë thirrje amerikanëve të ushtrojnë presion mbi qeverinë e tyre dhe duke pretenduar se e vetmja mënyrë që lufta të përfundojë është që Washingtoni të pranojë humbjen dhe të largohet nga Lindja e Mesme.
Vërejtjet e tij vijnë në kohën kur partia Republikane e Trumpit përballet me vështirësi të forta ndërsa kërkon të ruajë kontrollin e Kongresit.
Ndër arsyet e tij për të nisur një luftë kundër Iranit, Trumpi ka përmendur nevojën për të garantuar se vendi nuk do të jetë kurrë në gjendje të ndërtojë një armë bërthamore.
Edhe
Trumpi e mohon se i ka ofruar Iranit lehtësim sanksionesh
"Armiku e di se Irani nuk synon të ketë armë bërthamore”, ka thënë Mohebbi.
"Problemi i tyre me Iranin nuk është programi bërthamor, por vetë madhështia e tij, të cilën ata duan ta shkatërrojnë”, ka shtuar.
Ai gjithashtu ka kundërshtuar pretendimet e SHBA-së se Irani ka humbur pjesën më të madhe të kontrollit mbi Ngushticën e Hormuzit, pjesërisht sepse ushtria amerikane ka arritur të mbrojë disa nga cisternat që transportojnë naftë nga Gjiri.
"Fakti që amerikanët mund të arrijnë, me kosto të lartë, vështirësi të konsiderueshme dhe rrezik të madh, të kalojnë fshehurazi një anije të vogël përmes Ngushticës së Hormuzit nën mbulesën e errësirës për të eksportuar, le të themi, 100 ose 200 fuçi naftë, nuk do të thotë se Ngushtica është e hapur”, ka thënë Mohebbi.
Edhe
Irani thotë se vetëm negociatat mund t’i japin fund konfliktit me SHBA-në
Sipas "Kpler" (platformë e cila ofron informacione në kohë reale mbi sektorin detar për tregjet globale të lëndëve të para) muaji shtator ka shënuar një rimëkëmbje të eksporteve të naftës përmes Ngushticës së Hormuzit.
Ato pritet të arrijnë në gati 10 milionë fuçi në ditë, që përbën rreth gjysmën e vëllimit të periudhës para luftës.