Botë

G7-a kërkon depërshkallëzim të situatës në Lindjen e Mesme

Ministrat e G7-ës

Ministrat e G7-ës

Foto: Associated Press

Ministrat e Jashtëm të G7-ës paralajmëruan për sanksione të reja kundër Iranit të premten për sulmin e tij me dron dhe raketa ndaj Izraelit dhe u bëri thirrje të dyja palëve të shmangin një përshkallëzim të konfliktit.

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, i cili kryesoi takimin e ministrave të vendeve të industrializuara në ishullin Kapri, ka thënë se agjenda e takimit tre-ditor u ndryshua të premten për të trajtuar zhvillimet e fundit, raporton AP.

Të premten herët, Irani gjuajti mbrojtje ajrore në një bazë të madhe ajrore dhe një vend bërthamor pranë qytetit qendror të Isfahanit, pasi pikasi dronët.

Ata dyshohej se ishin pjesë e një sulmi izraelit në hakmarrje për sulmin e paprecedentë me dron dhe raketa të Teheranit në fundjavën e kaluar.

Tajani u kërkoi të dyja palëve të ushtrojnë përmbajtje.

“Ne u bëjmë thirrje të gjitha palëve të punojnë për të shmangur përshkallëzimin dhe G7 do të punojë për këtë rezultat”, ka thënë Tajani në një konferencë përmbyllëse për shtyp.

“Ne i bëjmë thirrje Iranit të përfundojë marrëdhëniet e tij me Hamasin dhe mbështetjen për Hezbollahun dhe nuk përjashtojmë mundësinë e sanksioneve dhe masave të tjera”, ka shtuar ai.

Ministrat e Jashtëm dënuan sulmet e fundit të Iranit kundër Izraelit, duke shkruar se "G7 mbështet sigurinë e Izraelit".