Botë

Fuqizimi ushtarak i Rusisë në Ukrainë po e mban Bidenin në teh

“Po bëjnë prova, po përpiqen të shohin se çfarë do të bëjmë, çfarë do të bëjë NATO-ja e çfarë ukrainasit”, ka thënë Jim Townsend, ish-zëvendësnënsekretari amerikan i Mbrojtjes për Evropë dhe NATO deri më 2017. “A është kjo një administratë e lëkundshme apo është një administratë që do të veprojë me vendosmëri? Krejt këto gjëra po i bëjnë për të matur se cila është administrata e re”

Rusia është duke grumbulluar numër të pazakontë trupash në kufi me Ukrainën, duke e përbërë një sprovë të hershme për administratën amerikane të Joe Bidenit që po mundohet t’i riparojë marrëdhëniet me aleatët në NATO dhe ta bëjë dallimin prej qasjes kundërthënëse të ish-presidentit Donald Trump në marrëdhëniet me Moskën.

Grumbullimi i forcave në kufi me Ukrainën, bashkë me një sërë shkeljesh të armëpushimit në territoret lindore ukrainase të kontrolluara nga separatistët e mbështetur nga Rusia, sipas revistës politike amerikane “Foreign Policy”, ka alarmuar NATO-n dhe ka nxitur një mori thirrjesh telefonike midis anëtarëve të administratës Biden dhe homologëve të tyre ukrainas dhe rusë.

“Po bëjnë prova, po përpiqen të shohin se çfarë do të bëjmë, çfarë do të bëjë NATO-ja e çfarë ukrainasit”, ka thënë Jim Townsend, ish-zëvendësnënsekretari amerikan i Mbrojtjes për Evropë dhe NATO deri më 2017. “A është kjo një administratë e lëkundshme apo është një administratë që do të veprojë me vendosmëri? Krejt këto gjëra po i bëjnë për të matur se cila është administrata e re”.

Demonstrim i dominimit

Presidenti Joe Biden ka biseduar të premten me homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, sipas një komunikimi ukrainas, në bisedën e parë midis liderëve të dy shteteve qëkur thirrja dashakeqe e Trumpit në korrikun e 2019-s me Zelenskyn kishte nxitur hetimet kundër tij për impiçment.

“Qëndrojmë krah për krah kur bëhet fjalë për ruajtjen e demokracive tona”, ka shkruar në “Twitter” lideri ukrainas, pas bisedës 50-minutëshe.

Të dërguarit e 30 vendeve aleate në NATO janë takuar të enjten për ta diskutuar çështjen dhe kanë shprehur shqetësimin rreth ushtrimeve masive ushtarake dhe shkeljeve të vazhdueshme të armëpushimit, ka thënë një zyrtar i NATO-s për “Foreign Policy”.

“Veprimet destabilizuese të Rusisë i rrezikojnë përpjekjet për zbutjen e tensioneve”, ka thënë zyrtari. “NATO-ja vazhdon që t’i mbështesë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës. Vazhdojmë të jemi vigjilentë dhe ta monitorojmë nga afër situatën”.

Kremlini ka paralajmëruar të premten se çdo vendosje e trupave të NATO-s në Ukrainë do t’i përshkallëzonte tensionet edhe më shumë dhe do ta nxiste Rusinë që të ndërmarrë masa shtesë në vetëmbrojtje.

Sipas “Foreign Policy”, konflikti në lindje të Ukrainës midis forcave të armatosura të vendit dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia është ndezur herë pas here që nga marrëveshja paqësore e 2015-s, që iu dha fund luftimeve më të rënda. Vëzhguesit e konfliktit bëjnë të ditur se përshkallëzimi aktual është i një magnitude më ndryshe prej drojave të mëhershme.

Videoxhirimet e shpërndara nga përdoruesit rusë të rrjeteve sociale, të cilat janë vështirë të verifikuara në mënyrë të pavarur, shfaqin trenat dhe konvojët ushtarakë tek drejtohen në kufirin me Ukrainë dhe Krime, gadishull ky strategjik ukrainas në Detin e Zi, të cilin Rusia e aneksoi paligjshëm më 2014. Vëzhguesit dhe ekspertët, sipas revistës amerikane, ende janë duke u përpjekur që t’i zbërthejnë synimet ruse prapa këtij grumbullimi, i cili duket se e tejkalon ritmin normal të Moskës për manovra ushtarake.

“(Presidenti rus, Vladimir Putin) nuk është aq i dukshëm kur e nxit veprimin e madh. Pse po na lejon që ta shohim këtë gjë?”, ka pyetur Townsendi, ish-zyrtar i Pentagonit.

Ish-zyrtarët amerikanë e shohin gjithë këtë si një përpjekje të qartë të Moskës për ta vënë në sprovë administratën Biden, e cila ende është duke i rishikuar politikat për sajimin e një strategjie të re kundruall Rusisë, pas përshkallëzimeve të tjera, përfshirë hakimet masive të agjencive qeveritare amerikane, për të cilat Washingtoni ka fajësuar Kremlinin.

“Kjo mund të jetë një manovër e trupave, me të cilin ata thjeshtë po testojnë për të parë se si po reagojmë, mund të jetë një gjë e natyrës ushtarake apo edhe vendi se ku i parkon njerëzit në kufi”, ka thënë ish-zyrtari i administratës Trump për “Foreign Policy”.

Image

Vëzhguesit e kahershëm të konfliktit janë skeptikë se Rusia është duke e planifikuar okupimin e ri të Ukrainës, por ata nuk e përjashtojnë tërësisht këtë mundësi.

“Puna me Vladimir Putinin është se kur ne mendojmë se çfarë ai do të bëjë, ne përpiqemi të mendojnë se ai do të bëjë ndonjë gjë racionale”, ka thënë Kirill Mikhailov, një studiues në Ekipin e Inteligjencës për Konflikte, i cili ka gjurmuar përfshirjen ushtarake ruse në Ukrainë. “Ai mund të ketë një këndvështrim krejtësisht të ndryshëm për botën, duke pasur parasysh se informatat që ai i merr janë tejet të kuruara”.

Analisti ushtarak rus, Pavel Felgenhauer, e ka karakterizuar këtë këndvështrim tejet tjetëror në komentet dhënë për BBC-në, muajin e shkuar.

“Në botëkuptimin e ushtrisë ruse, Perëndimi është duke zhvilluar një luftë hibride ndaj Rusisë në shumë fronte: në Bjellorusi, në Ukrainë, në aspektin e Alexei Navalnyt”, ka thënë ai, për “Foreign Policy”.

Robert Lee, një ekspert i ushtrisë ruse dhe kandidat i doktoratës në Kolegjin Universitar të Londrës, ka thënë se veprimet, sipas të gjitha gjasave, kanë për synim që ta sprapsin Ukrainën nga çdo ofensivë e ardhshme në rajon.

“Rusia është duke treguar se e ruan dominimin e përshkallëzimit”, ka thënë ai për revistën.

Paparashikueshmëria e Rusisë

“Problemi me rusët është se gjithçka për ta është një vijë e kuqe dhe se kapardisen për gjithçka, dhe kur pozita e tyre nis të rrënohet, ata prapakthehen”, ka thënë një ish-zyrtar i lartë i Mbrojtjes amerikane. “Ukrainasit e dinë këtë më mirë se kushdo tjetër”.

Grumbullimi i fundit ndodh në kohën e një sërë aktiviteteve të tjera përshkallëzuese të Moskës.

“Ata përnjëmend e kanë nisur një ngjarje mbarëkontinentale të trazimit”, ka thënë Ben Hodges, i cili ishte gjenerali komandues i ushtrisë amerikane në Evropë deri më 2017. Të premten e shkuar, sipas FP-së, Ministria e Jashtme ruse ka publikuar një videoxhirim të tri nëndetëseve ruse që shqyejnë akullin në Arktik, një manovër kjo e vështirë, për të cilën Hodgesi ka thënë se ishte demonstrim kapacitetesh në një rajon që i është nënshtruar konkurrencës ushtarake në ngritje.

Të hënën, NATO-ja ka raportuar për “një pikë të pazakontë” të fluturimeve ruse afër cepave të Aleancës, me ç’rast dhjetë aeroplanë janë pritur nga fluturaket e NATO-s në një shteg kohor prej gjashtë orësh. Këto ngjarje, të kombinuara me grumbullimin përgjatë kufirit me Ukrainën, “qartazi nuk janë rastësi”, ka thënë Hodges.

Tensionet kanë ndodhur në kohën kur marrëdhëniet Perëndim-Rusi kanë “prekur fundin”, ka theksuar ministri i Jashtëm rus, Sergey Lavrov. Moska ka thirrur në bisedë informative ambasadorin e saj në Washington, Anatoly Antonov, pasi që Bideni është pajtuar gjatë një interviste se Putini ishte “një vrasës”. Por, sipas revistës politike amerikane, administrata Biden synon që ta mbajë të hapur kanalin diplomatik me Moskën. Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë për “Foreign Policy” se nuk ekzistojnë plane për ta thirrur ambasadorin amerikan në Moskë, John Sullivan, në kundërpërgjigje ndaj vendimit të Rusisë.

“E vazhdojmë përkushtimin për kanalet e hapura të komunikimit me Qeverinë ruse, si për t’i avancuar interesat amerikane ashtu edhe për t’i reduktuar rreziqet e keq kalkulimeve midis vendeve tona”, ka theksuar zëdhënësi.

Ani pse tensionet janë ngritur gjatë disa ditëve të fundit, ish-zyrtarët amerikanë kanë thënë se Kievi zyrtar vazhdon të jetë i kujdesshëm kundër përshkallëzimit të çfarëdo konflikti, duke e kapur potencialisht karremin e Moskës dhe duke ua lejuar forcave të përkrahura nga Rusia konsolidimin e mëtutjeshëm të përfitimeve të tyre në lindje. Në vend të kësaj, Zelensky sipas të gjitha gjasave do të anojë kah Perëndimi, ka shkruar “Foreign Policy”.

“Ukrainasit qëndrojnë më mirë në ngërç sesa në përshkallëzim dhe në pastrimin e gjërave prapa vetes”, ka thënë zyrtari. “Loja më e mirë e tyre në Donbass është presioni ndërkombëtar dhe pritja për të parë se çfarë ndodh me Putinin. Angazhimi i disa tankeve nuk është se do të bëjë shumëçka”, ka thënë zyrtari, duke iu referuar raketave amerikane antitank “Javelin”, të siguruara nga SHBA-ja.

Analizë e revistës “Foreign Policy”