Botë

Funerali i Papës rast për takim BE-SHBA në stilin “Ra ky mort e u pamë”

Papa Françesku

Foto: Associated Press

Diplomatët janë duke bërë përpjekje që liderët e BE-së të takohen me presidentin amerikan, Donald Trump, në margjina të funeralit të Papa Françeskut, të shtunën në Romë. Trumpi deri më tash i ka injoruar liderët e BE-së dhe ka pasur takime bilaterale vetëm me disa liderë të vendeve anëtare

Bashkimi Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mund ta shfrytëzojnë pjesëmarrjen e liderëve të tyre në funeralin e Papa Françeskut të shtunën në Romë për një takim joformal, i cili do të ishte i pari i këtillë prejse në Shtëpinë e Bardhë është kthyer Donald Trumpi.

Ai që nga fillimi ka shfaqur qëndrim tepër negativ për Bashkimin Evropian, duke shkuar aq larg sa të thotë se “BE-ja është krijuar për ta rrjepur Amerikën“. Dhe e ka nisur një luftë tarifash me Bashkimin Evropian. Në të njëjtën kohë, Trumpi tregoi simpati për liderin e Rusisë, Vladimir Putin, dhe për shumë liderë të tjerë autokratë nëpër botë.

Asnjëherë raportet mes BE-së dhe SHBA-së nuk kanë qenë më të dëmtuara në histori. Kjo është reflektuar edhe në refuzimin e qartë të vetë presidentit Trump, por edhe të bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë që të takohen me homologët e tyre nga BE-ja. Këto takime kanë qenë minimale.

Diplomatët janë duke bërë përpjekje që liderët e BE-së të takohen me presidentin amerikan Trump në margjina të funeralit të Papa Françeskut, të shtunën në Romë. Trumpi deri më tash i ka injoruar liderët e BE-së dhe ka pasur takime bilaterale vetëm me disa liderë të vendeve anëtare, si presidentin e Francës, kryeministrin e Irlandës dhe kryeministren e Italisë. Por, i ka injoruar tërësisht përfaqësuesit e institucioneve të Bashkimit Evropian.

Në selinë e Komisionit Evropian e kanë pranuar se ka përpjekje për të organizuar një takim në Romë, në margjina të funeralit të Papa Fraçeskut por, siç është shprehur zëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, “qëllimi kryesor i qëndrimit në Romë i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është për t’i shprehur nderime Papa Françeskut“. Ajo ka thënë që në rast se do të ketë ndonjë takim në nivel të lartë mes BE-së dhe SHBA-së, atëherë “do të njoftojnë me kohë”.

Liderët evropianë këto ditë e përkujtuan veprën e Papa Freançeskut, i cili angazhimet e tij i ka pasur shumë të ngjashme edhe me ato të BE-së.

Papa Françesku ka vizituar Parlamentin Evropian në vitin 2014, kur kishte kërkuar që BE-ja “të mos e harrojë misionin e vet” dhe sidomos kishte kërkuar që ajo t’i ndihmonte emigrantët, që të jetë e hapur dhe t’i ruajë vlerat e lirisë dhe të demokracisë, të jetë e hapur ndaj të tjerëve.

Papa Freaçesku po ashtu ka qenë shumë i angazhuar edhe në mbrojtjen e mjedisit. Dhe për këto qëndrime ai nuk ka qenë shumë i pëlqyer nga disa politikanë të së djathtës ekstreme, të cilët mohojnë ndryshimet klimatike ndërkohë që ndjekin një politikë të ashpër kundër imigrantëve.

Kryeministrja e Italisë, Georgia Melloni, e cila ndonëse ka moderuar qëndrimet e saja prej kur ka ardhur në pushtet, është e afërt me të djathtën ekstreme dhe ka raporte të mira edhe me presidentin amerikan, Donald Trump.

Burime diplomatike në BE thonë se pikërisht Melloni është duke bërë përpjekje për të shfrytëzuar qëndrimin në Romë të presidentit Trump dhe të shumicës së liderëve evropianë për një takim sado joformal. Një takim i tillë do të mund të shfrytëzohej për t’i ulur tensionet në raportet BE-SHBA dhe për të evituar përshkallëzimin e luftës tregtare, e cila tashmë ka nisur.

Edhe ata liderë të vendeve të BE-së që kanë raporte të mira me Trumpin dhe kanë simpati për të, janë të vetëdijshëm se për vendet e tyre masat amerikane ndaj BE-së janë shumë të dëmshme.

Nëse do të ndodhë takimi në margjina të funeralit të Papa Fraçeskut dhe në të do të arrihej ndonjë pajtim, atëherë kjo do të mund të quhej historike po ashtu me një simbolikë të madhe.