Hetim për vrasje nga pakujdesia është hapur për vdekjen e shtatë personave nga fundosja e jahtit luksoz në Sicili, ka thënë kryeprokurori i Termini Imerese, Ambrogio Cartesio, në një konferencë pasi u nxor edhe trupi i fundit që kishte mbetur nën ujë.
Cartosio ka konfirmuar emrat e viktimave që u nxorën. Trupi i parë ishte i shefit të jahtit, Recaldo Thomas. Katër viktimat e nxjerra më 21 gusht ishin Jonathan William Bloomer dhe gruaja e tij, dhe Christopher Morvillo e gruaja e tij. Të gjtihë u gjetën brenda anijes nga ekipet zhytëse. Trupi i Mike Lynch u nxor më 22 gusht dhe ai i vajzës së tij, Hannah, më 23 gusht.
Ai ka sqaruar se prokuroria është duke hetuar aktualisht mbi një “hipotezë krimi” për vrasje nga pakujdesia, megjithëse nuk po e heton askënd konkretisht për momentin.
Ka shtuar se hetimi është në fazë të hershme dhe nuk përjashton asgjë në këtë pikë.
Bentivoglio Fiandra, shefi i brigadës së zjarrfikësve të Palermos dhe pjesë e ekipit të shpëtimit i zhytësve, ka shpjeguar se jahti ishte rrotulluar në anën e djathtë. Si rezultat, viktimat kërkuan shpëtim në anën e majtë të jahtit, ku kishte mbetur hapësira e vetme e ajrit teksa anija po fundosej.
Në konferencë është thënë se pronari i jahtit ka shprehur dëshirën që ta nxjerrë edhe jahtin nga uji.
Gazetarët kanë pyetur se si ishte e mundur që ekipi të kishin mundësi të hipnin në varkën e shpëtimit, por jo edhe pasagjerët.
Një zyrtar italian është përgjigjur se incidenti ka ndodhur “shumë shpejt” dhe se kjo çështje do të hetohej.
Megjithatë, Cartosio ka konfirmuar se akuza mund të ngrihen ndaj një a më shumë individëve para se të nxirret jahti. Por, ka theksuar se kapiteni dhe ekipi i tij nuk kërkohen që të qëndrojnë në Sicili gjatë hetimit.
Një tjetër prokuror ka thënë se arsyeja pse ekuipazhi, me përjashtim të kuzhinierit të jahtit, arriti të shpëtonte dhe pasagjerët jo, është se pasagjerët ka gjasa të ishin në gjumë.
Ka thënë se bazuar në atë që dihet deri tash, nuk ka gjasa që një vorbull uji ta ketë shkaktuar fundosjen. Sipas tij, duket se fundosja ishte shkaktuar nga një shpërthim erërash e reshjesh të papritura e të fuqishme.