Dhënia e shtëpive të mundshme njëeuroshe ka çuar në rrugë pa krye, meqë shumica e të afërmve që e ndajnë pronën e njëjtë kishin mosmarrëveshje me njëri-tjetrin për arsye personale ose nuk mund të binin dakord për shitjen, nuk flisnin më ose nuk e njihnin fare njëri-tjetrin, të tjerët jetonin në qytete të largëta ose jashtë shtetit
Gjatë viteve të fundit në Itali kanë tërhequr interes të madh shitjet e shtëpive në vlerë prej 1 eurosh, me dhjetëra njerëz që vendosin të blejnë pronat e braktisura në disa nga qytetet e shpopulluara të vendit.
Por, derisa qytetet si Mussomeli në Sicili dhe Zungoli në Campania kanë arritur të shesin shtëpi të ndryshme të braktisura për të huajt, që kanë dëshirë të jetojnë ëndrrën italiane, disa nuk kanë arritur të shesin shtëpitë e tyre të boshatisura.
Në mesin e tyre është Patrica, një fshat i largët mesjetar në jug të Romës me rreth 3,000 banorë, ku më shumë se 40 prona të braktisura në fillim të viteve 1900 janë lënë të kalben.
E vendosur në një pllajë shkëmbore me pamje nga lugina Sacco në Italinë Qendrore, Patrica është vend idilik, por jeta këtu nuk ka qenë e lehtë për vendasit në të kaluarën.
Shtëpitë e braktisura
Shumë nga banorët janë larguar në kërkim të një jete më të mirë diku tjetër, duke i lënë shtëpitë e tyre të zbrazura për dekada të tëra.
Në përpjekje për t’i sjellë jetë fshatit, bashkiaku i qytetit Lucio Fiordaliso është munduar të imitojë suksesin e fshatrave të tjera italiane, që kanë vendosur shtëpitë e braktisura për shitje për një euro. Deri më tash ai ka pasur pak sukses.
“Në fillim ne e kemi bërë një hartim të të gjitha shtëpive të braktisura dhe u kemi bërë thirrje zyrtare pronarëve për t’i ftuar që të dorëzojnë shtëpitë e rrënuara të familjes, por deri më tash kemi arritur të shesim vetëm dy shtëpi për një euro”, ka thënë Fiordaliso.
Ndërsa autoritetet vendore në qytetet e shpopulluara, për shkak të tërmeteve ose fatkeqësive të tjera natyrore, kanë juridiksion për t’i vendosur në shitje shtëpitë e braktisura pa lejen e pronarëve, kjo nuk ndodh në Patrica ose qytetet e tjera si kjo.
“Së pari na duhet miratimi i pronarëve, ose trashëgimtarëve të tyre, për t’i dhënë shtëpitë e tyre të vjetra”, ka thënë Fiordaliso. “Vetëm pas miratimit të tyre, ne mund t’i vendosim shtëpitë në shitje, çka e bën procesin shumë më të komplikuar. Gati të pamundur”.
Fiordaliso ka shpjeguar se qyteti ka marrë “përgjigje pozitive” nga 10 pronarë pasi u është dërguar “thirrja publike për t’i përfshirë në projektin tonë të shtëpive njëeuroshe”, por ata janë tërhequr në minutën e fundit. Të tjerët nuk janë përgjigjur kurrë.
Thirrja publike
Fiordaliso thotë se pronarët që kanë ndryshuar mendjen mund ta kenë bërë këtë për shkak të problemeve me të afërmit e tjerë, me të cilët e ndajnë pronën e njëjtë.
Ndërtesat e braktisura në qytetet e vjetra italiane janë ndonjëherë të ndara mes disa trashëgimtarëve që kanë në pronësi vetëm një seksion – si tualet, ballkon, kuzhinë – dhe asgjë nuk mund të shitet pa miratimin e të gjithë trashëgimtarëve, sipas ligjit italian.
Në të kaluarën ka qenë e zakonshme që fëmijët të trashëgojnë pjesë të shtëpisë së familjes, duke përfshirë pjesë të tokës, bunarë dhe pemishte.
Por nuk është gjithmonë e garantuar se të afërmit do të kenë marrëdhënie të mira ose të vazhdojnë të kenë kontakte në të ardhmen.
“Dhënia e shtëpive të mundshme njëeuroshe ka çuar në rrugë pa krye, meqë shumica e të afërmve që e ndajnë pronën e njëjtë kishin mosmarrëveshje me njëri-tjetrin për arsye personale ose nuk mund të binin dakord për shitjen, nuk flisnin më ose nuk e njihnin fare njëri-tjetrin, të tjerët jetonin në qytete të largëta ose jashtë shtetit”, ka thënë bashkiaku Fiordaliso.
Në disa raste, shtëpitë nuk ishin ndarë zyrtarisht mes trashëgimtarëve në të kaluarën, kështu që linja e pronësisë ishte thyer gjatë kohës, pa tregues të qartë se kush duhet të jetë pronari aktual.
Sipas Fiordalisos, gjurmimi i pasardhësve të pronarëve të cilët kanë emigruar shumë moti jashtë shtetit, kryesisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Argjentinë është i vështirë pasi ndoshta kanë pasur mbiemra të ndryshëm, ose kanë mundur t’ua kenë dhënë pronën e tyre italiane të huajve pa njoftuar bashkinë e Patricas.
“Është si të kërkosh gjilpërën në kashtë”, ka shtuar Fiordaliso.
Të vetmet shtëpi të braktisura që kanë mundur të shiten nga bashkia si pjesë e skemës njëeuroshe kanë qenë plotësisht nën pronësi të dy vendasve dhe meqë nuk ishte kërkuar kontakti me kushërinjtë ose stërnipërit, ata kanë mundur t’i shisnin pronat pa asnjë ndërlikim.
Lidhjet familjare
Në situatat kur kishin rol grindjet familjare, të afërmit kanë mundur të zgjedhin që të mos e shesin shtëpinë për shkak të problemeve të lidhura me mosmarrëveshjet për trashëgiminë, ose si formë hakmarrjeje.
Dhe pronarët origjinalë që kanë qenë duke jetuar në ndonjë vend tjetër për shumë vjet mund të jenë në dijeni se nëse bien në kontakt me autoritetet lokale, mund të goditen nga taksat dhe tarifat e depozitimit të mbetura, që mund të arrijnë deri në 2.500 euro në vit, plus faturat e papaguara të shërbimeve.
Një arsye tjetër që skema njëeuroshe nuk ka funksionuar deri më tash në Patrica, ka mundur të jetë për shkak të gjendjes së shtëpive të braktisura. Disa prej tyre janë shumë të neglizhuara, edhe nëse pronarët pranojnë t’i shesin.
Vendasi i Patricas, Gianni Valleco, dhe dy vëllezërit e tij kanë vendosur që shtëpinë e braktisur të prindërve të tyre ta vendosin për shitje dhe për të parë se çfarë rezultati do të kishin, por shumë shpejt e kanë kuptuar se shtëpia e tyre nuk ishte aspak e dëshirueshme.
“Ne menduam, ‘Pse të mos e provojmë?’ Edhe nëse është vetëm për një euro, ne do ta hiqnim qafe grumbullin me gurë të padobishëm që dikur ka qenë shtëpi. Ishim gjithsesi kureshtarë për të parë nëse dikush është i interesuar për ta blerë”, ka thënë Valleco. “Ne ishim në dijeni se shtëpia gjysmëshekullore e prindërve tonë ishte kthyer në rrënoja, domethënë ishte komplet e rrënuar, deri në tokë. Çatia dhe shumica e mureve të saj ishin rrëzuar, duke e lënë një dhomë të hapur të mbuluar me xhama dhe shkurre. E vetmja gjë e mbetur ishte copa e tokës, një kopsht i shëmtuar mu në zemër të qendrës historike të qytetit”.
Sipas Vallecos, një fqinj e ka përdorur atë që ka mbetur nga shtëpia e tyre për t’i hedhur gjërat e tij të vjetra.
“Pastaj e kuptuam se askush nuk do ta blinte atë”, ka shtuar ai. “Është investim i keq që kërkon një shumë të madhe parash për ta rindërtuar shtëpinë. Ia vlen më shumë blerja e një vile të vogël rurale në rrethinë”.
Fatmirësisht, jo të gjitha shtëpitë e braktisura në Patrica, që mund të shiten për një euro, janë në gjendje kaq të keqe dhe disa prej tyre kanë tërhequr interesin e blerësve të mundshëm.
“Disa të huaj kanë ardhur t’i shohin shtëpitë e braktisura njëeuroshe. Ka pasur shumë interes për to, por fatkeqësisht nuk kemi pasur çka t’u ofrojmë”, ka thënë bashkiaku, duke shtuar se të interesuarit ishin nga SHBA-ja dhe Evropa.
Gjatë kësaj kohe, Fiordaliso është përpjekur të gjejë mënyra të reja për ta bërë qytetin sa më tërheqës, me shpresën se kjo do t’i joshte të ardhurit e ri.
Skema e re
Kohëve të fundit, bashkia ka financuar rregullimin e fasadave të jashtme të disa “palazzove” antike, ndërtesa të mëdha karakteristike të Italisë, duke shtyrë disa vendas t’i rimodelojnë tërësisht shtëpitë e tyre të vjetra të familjes dhe t’i vendosin në përdorim pas disa dekadash neglizhence.
Banorja vendase Alessandra Pagliarosi ka ndërmarrë një hap të madh, duke e kthyer rezidencën e trashëguar të burrit të saj në një rezidencë elegante të quajtur “Patricia”.
“Ne e rregulluam çatinë, e cila praktikisht nuk ishte më aty, dhe pjesën e brendshme të rezidencës. Veprimi i bashkiakut më në fund na dha një justifikim të mirë për ta rinovuar plotësisht pronën, e cila rrinte e padobishme aty”, ka thënë Pagliarosi, e cila ka përfituar nga taksa e re e prezantuar nga bashkia për ta ringjallur ekonominë vendase.
Ata që kanë vendosur të nisin një aktivitet komercial si për shembull butik artizanal në distriktin antik janë përjashtuar nga pagimi i taksave ose tatimeve të mbetura, reklamat ose përdorimi i hapësirës publike për 10 vjet dhe u është dhënë kredi tatimore për kostot e ristrukturimit.
Të huajt që planifikojnë të zhvendosen në Patrica dhe të nisin bizneset e tyre gjithashtu kanë të drejtën e përfitimeve tatimore. Deri më tash, si rezultat i kësaj, janë hapur dy rezidenca të reja dhe një restorant.
Ilario Grossi, i cili udhëheq agjencinë e patundshmërive “Immobil Lepini”, e ndodhur në qendër të qytetit Ceccano, ka thënë se disa pasardhës amerikanë të familjeve emigrante, kohëve të fundit kanë vizituar Patrican për të shikuar për prona.
Por shtëpitë e gatshme për t’u blerë, me dy dhoma gjumi që fillojnë nga shuma 20.000 euro, duket të jenë më tërheqëse.
“Ka interes, por kur të huajt shohin gjendjen e keqe të shtëpive të vjetra, ata preferojnë apartamentet e reja që janë të rimodeluara dhe që kanë nevojë për rregullime të vogla”, ka thënë Grossi. “Është më e përshtatshme për t’i blerë shtëpitë e reja sesa ato të vjetra që kanë nevojë për renovime të mëdha, ku çmimi i fundit do të jetë shumë më i lartë”.
Pavarësisht këtyre sfidave, Fiordaliso nuk ka hequr dorë nga shitja e shtëpive të neglizhuara të qytetit, edhe nëse i duhet të negociojë me të afërmit që kanë mosmarrëveshje mes vete.
Përgatiti: Latra Gashi