Forcat e fuqishme paraushtarake në Sudan po e përdorin ushqimin si armë, duke bllokuar furnizimet me ushqime në përpjekje për t'i detyruar burrat dhe djemtë të bashkohen me radhët e grupit, sipas dhjetëra dëshmitarëve
(CNN) - Në mesin e dhjetorit forcat e fuqishme paraushtarake, të njohura si Forcat e Mbështetjes së Shpejtë (RSF), hynë në qendër të Al Jaziras, një nga 18 shtetet që përbëjnë Sudanin. Ultimatumi ishte i prerë: “Regjistrohu ose vdis”.
Që atëherë, grupi i milicisë ka kërkuar ta përdorë ushqimin si armë, duke bllokuar furnizimet për të uriturit në përpjekje për t'i detyruar burrat dhe djemtë të bashkohen me radhët e grupit, sipas dhjetëra dëshmitarëve.
RSF-ja ka luftuar me Forcat e Armatosura Sudaneze (SAF) për kontrollin e vendit që kur shpërtheu lufta civile midis dy fraksioneve rivale, në prill të vitit të kaluar. Të dyja forcat janë akuzuar për vrasje të civilëve. Raportimi i CNN-it vitin e kaluar ka ekspozuar fushatën e udhëhequr nga RSF-ja për të skllavëruar burrat dhe gratë, dhe mizoritë e tjera nga grupi paraushtarak dhe milicitë e tij aleate në rajonin perëndimor të Darfurit - zonë tashmë e shkatërruar nga ajo që është përshkruar gjerësisht si gjenocidi i parë i shekullit të 21-të.
Tani, një hetim i CNN-it ka zbuluar se pothuajse 700 burra dhe 65 fëmijë janë rekrutuar me forcë nga RSF-ja gjatë tre muajve të fundit vetëm në shtetin Jazira.
Shumë prej viktimave u identifikuan nga dëshmitarët, të mbijetuarit dhe anëtarë të familjes. CNN-i ka verifikuar emrat e tyre me banorë nga komunitetet për të marrë detaje se çfarë ndodhi në secilin rast.
CNN-i ishte në gjendje të vërtetonte në mënyrë të pavarur identitetin e të gjithë 750 njerëzve të marrë nga bandat e RSF-së në Jazira. Nga ata, të paktën 600, duke përfshirë 50 djem nën 18 vjeç, iu bashkuan RSF-së në Jaziran lindore, në shumë raste të shtyrë nga uria, zbuluan dëshmitë e dëshmitarëve. 150 të tjerë, duke përfshirë 15 djem, u rekrutuan me forcë në Jaziran perëndimore. Shumë nga burrat kanë punuar më parë si fermerë ose tregtarë.
Fushata e RSF-së u shpalos në qendrën bujqësore të Sudanit gjatë periudhës së kultivimit dhe korrjes, duke përkeqësuar pasigurinë ushqimore në vendin tashmë në prag të urisë.
Dëshmitarët okularë kanë dhënë në detaje një sërë metodash të rrepta të përdorura nga RSF-ja për t'i detyruar individët të bashkohen me radhët e tyre, duke përfshirë frikësimin, torturën dhe ndalimin e ushqimit e ndihmës mjekësore.
CNN ka siguruar dhe verifikuar dy video nga banorët e një fshati në Jazira të cilët përshkruajnë një sulm të RSF-së në fillim të janarit. Në njërën video, një ushtar i RSF-së, i identifikuar nga kapela dhe shenjat në veshjet e tij ushtarake, ka deklaruar se ata e kanë pushtuar fshatin.
Në një tjetër, ushtarët e RSF-së, të identifikuar përsëri nga kapela dëgjohen duke i quajtur burrat e fshatit “qen” përpara se të shtënat e armëve të kumbojnë në ajër. Ushtarët e RSF-së mund të shihen duke i poshtëruar burrat, duke i detyruar të bien në sezhde. Më pas ekzekutuan gjashtë prej tyre, sipas tre personave që mbijetuan. Burrat kishin refuzuar të regjistroheshin, i thanë të mbijetuarit CNN-it. Dy dëshmitarë të tjerë nga fshati e konfirmuan rrëfimin.
Ushtarët e RSF-së që kërkonin të shtonin radhët e milicisë shënjestruan një fshat tjetër më 27 shkurt.
Milicia u përpoq të rekrutonte 20 të rinj nga fshati, sipas dëshmitarëve okularë, të mbijetuarit dhe familjet e viktimave. Kur banorët refuzuan, ata ngritën një bazë në fshat, duke nisur fushatë terrori. Shtëpitë u plaçkitën dhe supermarketet e magazinat ushqimore u dogjën përpara se ushtarët të largoheshin me mbi 30 automjete të vjedhura.
Dhjetëra dëshmitarë okularë nga e gjithë Jazira, duke përfshirë të mbijetuarit dhe familjet e viktimave, kanë thënë se refuzimi i ultimatumit të RSF-së vjen me koston e ushqimit, shtëpisë dhe sigurisë. Për shkak të frikës nga RSF-ja, emrat e fshatrave dhe dëshmitarëve nuk janë zbuluar.
Shporta e ushqimit
Shteti Jazira në Sudanin qendror ushqen pjesën më të madhe të popullsisë së vendit prej rreth 48 milionë banorësh, sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara. I vendosur në jug të kryeqytetit Khartoum, Jazira është shtëpia e një prej sistemeve më të mëdha të ujitjes në botë, “Skema Jazira”. Para luftës, Jazira prodhonte pothuajse gjysmën e grurit total të Sudanit dhe strehonte shumicën e rezervave të grurit të vendit.
Ai grurë dhe kapaciteti për të rritur dhe korrur më shumë, janë tani në duart e RSF-së, pasi rrënjosën dhe zaptuan zonat bujqësore të Jaziras.
“Kushdo që kontrollon Jaziran, kontrollon prodhimin e ushqimit në vend”, ka thënë Alex de Waal, ekspert në Bririn e Afrikës dhe drejtor ekzekutiv i Fondacionit Botëror të Paqes, për atë që ai e ka quajtur “krizën katastrofike të urisë” që ka shkaktuar konflikti.
Mohamed Badawi, avokat në Qendrën Afrikane për Studime të Drejtësisë dhe Paqes, ka thënë se taktikat shtrënguese dhe të dhunshme të RSF ishin të ngjashme me një “sistem të punës së detyruar”.
“Njerëzit duhet të mbijetojnë – nuk kanë zgjidhje tjetër, as kujt t’i ankohen. Nëse nuk vret për ta, do të arrestohesh”, ka thënë ai për metodat e RSF-së.
Pa asnjë shenjë të zbutjes së konfliktit, frika e urisë së afërt po rritet.
Programi Botëror i Ushqimit i OKB-së (WFP) ka paralajmëruar në fillim të këtij muaji se më shumë se 25 milionë njerëz në të gjithë Sudanin, Sudanin Jugor dhe Çadin fqinj ishin “të bllokuar në një spirale të përkeqësimit të sigurisë ushqimore”. Ata që kanë më shumë nevojë për ndihmë janë “të mbërthyer” në zona të cilat nuk mund të arrihen për shkak të “dhunës së pamëshirshme dhe ndërhyrjes nga palët ndërluftuese”.
Rreth 220 mijë fëmijë të kequshqyer rëndë dhe më shumë se 7 mijë nëna të reja mund të vdesin në Sudan nëse ndihma urgjente nuk u arrin në muajt e ardhshëm, ka theksuar një raport nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA). Rreth 3.7 milionë fëmijë vuajnë nga kequshqyerja në të gjithë vendin, thuhet në raport. Tashmë ka raporte për vdekje të fëmijëve që lidhen me kequshqyerjen, përfshirë në Darfur.
Organizata jofitimprurëse “Save the Children”, pjesë e grupit të organizatave humanitare që punojnë në Sudan, ka thënë se që nga shpërthimi i konfliktit prillin e kaluar, furnizimet ushqimore janë ulur ndjeshëm, si në prodhim ashtu edhe në shpërndarje, ndërsa çmimet janë rritur për “45% në më pak se një vit”.
OKB-ja ka bërë thirrje për 2.7 miliardë dollarë këtë vit për të përmbushur nevojat humanitare të Sudanit. Deri më tani është dhënë vetëm 5% e kësaj shifre.
“Njerëz pa mëshirë”
Dëshmitarët kanë treguar se kontrolli i RSF-së mbi furnizimet ushqimore është vetëm pjesë e sistemit të detyrimit në Jazira.
Më 3 janar, një tregtar frutash 21-vjeçar nga Jazira perëndimore ishte duke u kthyer për në shtet nga një zonë e kontrolluar nga SAF-i në veri, kur RSF-ja e kapi. “Ata më akuzuan për bashkëpunim me inteligjencën e ushtrisë sudaneze dhe më liruan vetëm pas ndërhyrjes së një prej miqve të mi që i është bashkuar RSF-së”, ka thënë tregtari.
Por shoku i tij nuk mund ta garantonte sigurinë e tij në vazhdim, ka rrëfyer 21-vjeçari në kushte anonimiteti. “Ai më këshilloi të bashkohesha me RSF-në në mënyrë që të mund të siguroja ushqim për fëmijët e mi”, ka treguar ai, duke thënë se kjo ishte ajo që kishte bërë miku i tij. “Por unë e hodha plotësisht poshtë idenë”. Që atëherë ai ka ikur nga shteti dhe jeton në fshehtësi.
Një tjetër burrë që zotëron një fermë agrumesh në të njëjtën zonë, Sidiq Farouk, ka thënë se ai u torturua në fermën e tij më 28 dhjetor, ditë pasi RSF-ja konsolidoi pushtetin në kryeqytetin e shtetit, Wad Medani. Farouk, i cili ka folur nga një vend i sigurt ka thënë se i ishin lidhur duart e ishte rrahur.
Farouk ka pretenduar se ushtarët e RSF-së, të cilët e akuzuan për shoqërim me SAF-in, më pas ia mbanin çizmet ushtarake në kokë. “Është kaq e vështirë, lëvizja e çizmeve në veshët tuaj. Veshët filluan të më fishkëllenin. Pas pak, mpihesh nga rrahjet. Ata janë njerëz pa mëshirë”.
Katër anëtarë të tjerë të familjes së tij që atëherë janë vrarë për përpjekjen për t’i rezistuar RSF-së.
Ai ka treguar gjithashtu përvojën e një burri nga Khartoumi, i cili kishte kërkuar strehim në një fshat në Jazira kur shpërtheu lufta për herë të parë, në prill të 2023-s, dhe që atëherë ishte detyruar të bashkohej me RSF-në. “Kur RSF-ja hyri në shtet këtë dhjetor, ata vodhën makinën e tij”, ka treguar Farouk.
RSF-ja i ka thënë se do t’ia kthenin makinën vetëm nëse do të punonte për ta, ka kujtuar Farouki. “Deri më tani, ai është detyruar të punojë si shofer për ta. Ai nuk e ka marrë as makinën e tij”.
Më shumë se dhjetëra dëshmitarë kanë akuzuar gjithashtu RSF-në se e ka shfrytëzuar për zhvatje muajin gjatë të cilit pati ndërprerje totale të komunikimeve. Si rezultat i ndërprerjes, grupi paraushtarak tani kontrollon qasjen në internet në Jazira, duke i detyruar banorët të paguajnë për ta përdorur sistemin e internetit satelitor Starlink të SpaceX-it për shërbimet online, përfshirë transferet bankare. “Na detyrojnë të paguajmë 3 dollarë orën për ta përdorur internetin”, ka thënë një dëshmitar.
“The quid pro quo (Diçka për diçka)” e kërkuar nga RSF-ja u bë më e qartë si qasje me kalimin e javëve, sipas banorëve. “Unë shkova me një grup fshatarësh për të bërë një ankesë te komandanti i qarkut për vjedhjen e makinave dhe parave nga fshati”, ka treguar një dëshmitar. “Përgjigja e komandantit ishte: “Merrni të rinjtë e fshatit të regjistrohen me ne që të mund t’ju mbrojnë”.
Rekrutët e rinj të RSF-së po “shpërblehen me ushqime dhe ndihma të grabitura nga të tjerët”, sipas dëshmitarëve.
Hala al Karib, drejtoreshë rajonale e Iniciativës Strategjike për Gratë në Bririn e Afrikës, ka deklaruar se fëmijët janë veçanërisht të cenueshëm nga shfrytëzimi i RSF-së dhe rekrutimi i tyre do ta bëjë më të vështirë çdo proces çmobilizimi në të ardhmen.
CNN ka ndarë gjetjet me raportuesin special të OKB-së për skllavërinë bashkëkohore, Tomoya Obokata, i cili ka thënë se “rekrutimi i të rinjve dhe fëmijëve në këmbim të ushqimit dhe sigurisë përbën punë të detyruar dhe skllavëri bashkëkohore, sipas të drejtës ndërkombëtare”.
Pas gati një viti lufte, agjencia e OKB-së për fëmijë UNICEF ka vlerësuar se rreth 19 milionë fëmijë sudanezë nuk shkojnë në shkollë.
Teksa disa video nga i gjithë Sudani që tregojnë fëmijë ushtarë të RSF-së janë postuar në mediat sociale që nga fillimi i luftës, CNN-i tashmë ka konfirmuar rekrutimin e 65 prej tyre në Jazira që nga mesi i dhjetorit, me secilin raport të konfirmuar në mënyrë të pavarur nga banorët e fshatrave në fjalë. Raporte të ngjashme kanë dalë nga pjesë të tjera të vendit. CNN ka qenë në gjendje të konfirmojë një pjesë të vogël të rasteve në Omdurman dhe Khartoum.
Vjedhja e ushqimeve
Kur RSF-ja hyri në Jazira në mes të dhjetorit, shënoi hapin e parë në atë që duket të jetë shkatërrim sistematik i infrastrukturës bujqësore të vendit. Gjithashtu ka përkeqësuar krizën masive të zhvendosjeve brenda vendi, pasi shteti u kishte dhënë strehë qindra e mijërave që iknin nga luftërat diku tjetër.
Më 20 dhjetor, Organizata Botërore e Ushqimit (WFP), e cila kishte ngritur një qendër ndihme dhe depo në Wad Medani pasi luftimet shpërthyen në Khartoum prillin e kaluar, u detyrua të ndalonte përkohësisht shpërndarjet në Jazira, ka thënë Leni Kinzli, që është në krye të komunikimit për WFP-në në Sudan.
“Në më pak se një javë”, ka theksuar Kinzli, “depoja jonë që përmbante më shumë se 2500 tonë ushqime që shpëtojnë jetën, duke përfshirë bishtajore, vaj dhe suplemente ushqimore, rezerva të mjaftueshme për të ushqyer rreth 1.5 milionë njerëz të pasigurt për një muaj në shtetin Jazira, u grabit nga elementë të lidhur me RSF-në”.
CNN foli me disa vendës të cilët thanë se shumica e depove që përmbanin ndihma ushqimore në Jazira u plaçkitën në katër javët e para të pushtimit nga RSF-ja.
“Që nga hyrja në Jazira, udhëheqësit e RSF-së kanë mohuar plaçkitjet, vjedhjet dhe incidentet e vrasjeve dhe përdhunimeve, duke ia atribuuar ato kriminelëve”, tha një dëshmitar për CNN. “Por unë, si dëshmitar okular i asaj që ndodhi në fshatin tonë, mund të them se ata që kryejnë të gjitha këto mizori janë të veshur me uniforma të RSF-së”.
Një udhëheqës i shquar në Aleancën e Fermerëve Jazira dhe Al-Manaqil, i cili foli në kusht anonimiteti për arsye sigurie, i tha CNN-it: “Tani fati i bujqësisë së Jaziras është bërë i panjohur”.
Dëshmitarët okularë i thanë CNN-it se tregu qendror “Wad Medani”, gjithashtu ishte plaçkitur dhe djegur, vetëm disa ditë pasi RSF-ja pushtoi qytetin. Në një video të postuar në mediat sociale, një burrë i veshur me rroba të RSF-së mburret për dëmet e shkaktuara nga forcat e tij.
“Shtatë milionë” përballen me krizën e ushqimit
Dëmtimi i infrastrukturës bujqësore të Jaziras vetëm do të përkeqësojë situatën në pjesën tjetër të Sudanit.
Në janar, “Mjekët pa Kufij” raportuan se në kampin Zamzam për njerëzit e zhvendosur në rajonin e goditur rëndë në veri të Darfurit, në perëndim të vendit, të paktën një fëmijë “po vdes çdo dy orë” nga uria.
Sudani po përballet me nivelin më të keq të urisë të regjistruar ndonjëherë gjatë sezonit të korrjes tetor-shkurt, sipas hulumtimit të botuar muajin e kaluar nga Instituti Clingendael, think-tank i pavarur. Ai parashikon se “ashpërsia dhe shkalla e urisë në sezonin e ardhshëm do të jenë katastrofike”, dhe bën thirrje për ndihmë urgjente në shkallë të gjerë.
Prania e RSF-së në mënyrë efektive i pengoi fermerët në të korrat e tyre, tha për CNN-in Anette Hoffmann, autore e raportit.
“Kjo korrje ishte shumë e nevojshme për të kompensuar humbjet masive të prodhimit që kishin ndodhur tashmë për shkak të luftimeve në shtetet e tjera. Përparimet e dhunshme të RSF-së në shtetin Jazira, shkatërrimi i depove ushqime dhe sistemeve të ujitjes në mënyrë të pashmangshme do të përkeqësojnë më tej mungesat masive të ushqimit në Sudan”, ka thënë ajo. “Ata që pengojnë ndihmën për shpëtimin e jetës duhet të mbahen përgjegjës për urinë që shkaktojnë”.
Organizata e OKB-së për Ushqimin dhe Bujqësinë ka kërkuar gjithashtu veprim të menjëhershëm dhe kolektiv për të shmangur një katastrofë të afërt humanitare.
De Waal theksoi pasojat shumë të menjëhershme të rekrutimit të fermerëve dhe tregtarëve nga RSF-ja si luftëtarë mes krizës së urisë. “Kush do të kultivojë atëherë? Kemi marrë fund", theksoi ai.
Një fermer, i cili kërkoi të mos përmendet nga frika e hakmarrjes së RSF-së, e përmblodhi atë: “Është një akt i qëllimshëm për t’i lënë njerëzit të vdesin nga uria”.