Udhëheqësit serbë të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, po vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit
Në një pasdite dimri të ndriçuar nga dielli, është e lehtë të imagjinohet se si mund të jetë e mirë jeta në Bosnjë. Çatitë e ngritura të shtëpive në shpatet e pjerrëta të luginës së Sarajevës duken si pirgje të mbuluara me borë. Fëmijët rrëshqasin në një shesh patinazhi në natyrë në një nga vendet e ndërtuara për Lojërat Olimpike Dimërore të 1984-s.
Në vitet e tmerrshme të luftës midis 1992 dhe 1995, kur Sarajeva ishte e rrethuar nga Ushtria serbe e Bosnjës, pashë se sa e keqe, brutale dhe e shkurtër mund të ishte jeta këtu. Bosnjë-Hercegovina përjetoi gjakderdhje, mizori dhe vuajtje që askush nuk i kishte parë në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, shkruan gazetari i BBC-së, Jeremy Bowen.
Mizoria më e keqe ndodhi në Srebrenicë, në lindje, ku ushtarët serbë të Bosnjës kishin vrarë më shumë se 8.000 burra dhe djem myslimanë boshnjakë gjatë disa ditëve në korrik të vitit 1995. Udhëheqësit serbë të Bosnjës gjatë kohës së luftës, Radovan Karaxhiq dhe Ratko Mlladiq, po vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit.
Ndoshta ky duhet të kishte qenë fundi i saj. Lufta përfundoi në vitin 1995 me një marrëveshje të arritur në një bazë të Forcave Ajrore të SHBA-së në Dejton, Ohio. Kjo e ngriu konfliktin në vend që ta zgjidhte atë.
Një forcë e madhe paqeruajtëse dhe një përfaqësues i lartë me kompetenca për të miratuar ligje u siguruan që marrëveshja të mbetej, e koha për botën vazhdonte të ecte përpara. Problemi qëndronte në atë se kjo nuk vlente edhe për Bosnjën.
I forti i Bosnjës
Më 9 janar, një paradë në Banja Luka, kryeqyteti serb de fakto, solli në fokus problemet e Bosnjës. Policia paraushtarake marshoi nëpër rrugë për ta përkujtuar 30-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së serbëve të Bosnjës në vitin 1992, teksa Jugosllavia po shpërbëhej dhe Bosnja po binte drejt një lufte gjithëpërfshirëse.
Kryesuesi i paradës ishte Milorad Dodik, i mirëpritur nga amerikanët pas luftës si një “frymëmarrje e ajrit të pastër”, mirëpo tani shihet si një njeri i fort serb që nuk heziton t’i përkujtojë fantazmat e së kaluarës.
Një nga aleatët e tij të ngushtë është kryeministri hungarez, Viktor Orban. Dodiku, në fakt, imiton aspekte të nacionalizimit të krahut të djathtë të Orbanit.
Parada serbe kishte demonstruar paqëndrueshmërinë e natyrshme në personalitetin e ndarë të Bosnjë- Hercegovinës.
Marrëveshja e Dejtonit e ndau vendin në dy njësi, me një shtresë institucionesh kombëtare, duke përfshirë një presidencë të përbashkët.
Me disa rregullime, kufiri mes tyre ndjek vijën e frontit në momentin që luftimet u ndalën. Entiteti serb quhet Republika Srpska. Tjetra, Federata e Bosnjë-Hercegovinës drejtohet nga myslimanët dhe kroatët boshnjakë.
Marrëdhëniet midis dy entiteteve nuk kanë qenë kurrë të lehta, mirëpo ato u bënë kritike korrikun e kaluar kur përfaqësuesi i lartë në largim, Valentin Inzko, një austriak me rrënjë në ish-Jugosllavi, e ndaloi mohimin e gjenocidit.
“Fakti që një i huaj mund të miratojë ligje për ta, irriton shumë boshnjakë, kurse masa e zemëroi udhëheqësin serb të Bosnjës. Ai rriti retorikën separatiste dhe ndërpreu bashkëpunimin me institucionet kombëtare, pjesë e të cilave ai është si anëtar serb i trojkës presidenciale”, shkruan gazetari i BBC-së.
Përfaqësuesi i lartë aktual, Christian Schmidt, ish-ministër gjerman, ka theksuar se Bosnja ishte e kapluar nga “kriza më e madhe ekzistenciale e periudhës së pasluftës”. Ai ka bërë të ditur se një kërcënim nga Dodiku për ta kthyer policinë e tij të armatosur në një ushtri të ringjallur serbe të Bosnjës rrezikonte mundësinë e një rikthimi në luftë.
Ambasadori britanik në Bosnjë, Matt Field, i bëri jehonë dënimit të manovrave të Dodikut, të cilat ai tha se po përdorin gjuhën e urrejtjes dhe duke injoruar ligjet e Bosnjës për t’i shkatërruar sigurinë dhe prosperitetin.
Sanksionet e SHBA-së
Në javën e parë të 2022-s, Dodiku u sanksionua nga Shtetet e Bashkuara për “destabilizimin e aktiviteteve korruptuese dhe përpjekjet për t’i çmontuar marrëveshjet e paqes të Dejtonit”.
Katër ditë më vonë, ai iu përgjigj kritikëve të tij duke marshuar njerëzit e tij nëpër rrugët e Banja Lukës.
Dodiku ka kritikë brenda dhe jashtë vendit. Një nga më të zëshmit në opozitën serbe të Bosnjës është Vojin Mijatovic, nënkryetar i Partisë Social Demokrate, i cili e akuzon atë për nxitje të kriminalitetit dhe të korrupsionit.
“Kjo është mënyra e vetme me të cilën ai po planifikon t’i mbulojë miliona e miliona që i mori nga aktivitetet e korrupsionit kriminal në Bosnjë... mendoj se kjo është mënyra e vetme e tij për të mbijetuar. Kjo është arsyeja pse unë mendoj se ai është gati të bëjë ndonjë gjë”.
Mohimi i gjenocidit është një çështje e fuqishme në Bosnjë. Vrasjet në Srebrenicë janë të dokumentuara në mënyrë të detajuar, edhe pse shumë serbë besojnë se akuza është e padrejtë.
“Takova ish-ushtarakë serbë të Bosnjës me aftësi të kufizuara në Banja Luka, të cilët deklaruan besnikërinë e tyre ndaj ish-komandantit të tyre, kriminelit të dënuar të luftës Ratko Mlladiq, dhe pretenduan se serbët ishin gjithashtu viktima”, shkruan gazetari Bowen.
Një aleat politik i Dodikut, Lubisha Qosiq, kryebashkiaku i Sarajevës Lindore, periferi e qytetit që shtrihet brenda Republikës Srpska, e ka pranuar që serbët vranë boshnjakë në Srebrenicë, ama këmbënguli se nuk ishte gjenocid.
“Si një komb sovran, ne e dimë se çfarë është gjenocidi dhe e patëm atë në Luftën e Dytë Botërore. Gjermanët kryen gjenocid mbi kombin tonë dhe është krejtësisht ndryshe nga krimi në Srebrenicë”, ka thënë ai.

Retorika serbe
Në ish-bazën e OKB-së, ku trupat holandeze nuk arritën të mbronin civilët boshnjakë në vitin 1995, ish-kryetari i bashkisë Camil Durakovic më tregoi për frikën që kishte lëshuar retorika aktuale.
“Është njësoj sikur ju keni ende Rajhun e Tretë dhe Gestapon në jetë pas Holokaustit. Të gjithë thonë “le të negociojmë me ta”. Le të mos negociojmë me ata që kanë bërë krimet më të këqija kundër njerëzimit në këtë vend. Problemi është se serbët po përpiqen të legalizojnë atë që u fitua nga krimet e luftës”.
Durakovic ishte 16 vjeç kur ushtria serbe u mbyll në Srebrenicë. Me xhaxhain dhe dy kushërinjtë e tij, ai u bashkua me mijëra burra e djemve të tjerë boshnjakë të dilnin përtej maleve për të shpëtuar. Në një moment kaotik , u nda edhe nga shoqëruesit e tij.
Diku gjatë rrugës, teksa u zunë pritë kolonave të njerëzve që iknin, të gjithë u vranë. Durakovic me fat e me guxim mbijetoi.
Ai iu bashkua radhës së lodhshme me njerëz të traumatizuar që i pashë atë verë duke kaluar nëpër Tuzla, territor i mbajtur nga Ushtria boshnjake.
“Tetëdhjetë për qind e shokëve të mi të shkollës u vranë në vitin 1995. Tash, unë i shoh nënat e tyre këtu, e disi ato më kujtojnë se sa shumë kam humbur. Jo vetëm anëtarët e familjes, por të gjithë brezin”.
Në Sarajevë, politikani kryesor boshnjak, Bakir Izetbegovic, ka theksuar se homologu i tij serb, Milorad Dodik, ishte një oportunist i maskuar si nacionalist, mirëpo që ishte shumë i rrezikshëm. “Është një djalë i pasur që e përdor atë energjinë e zezë të nacionalizmit. Nëse e lini të dalë atë shpirt nga shishja, nuk do ta ktheni më mbrapsht”.
Pa diskutim se armatimi i urrejtjes etnike është jashtëzakonisht i papërgjegjshëm në Bosnjë. Mirëpo, Bakir Izetbegovic, babai i ndjerë i të cilit ishte presidenti boshnjak i kohës së luftës, është akuzuar gjithashtu për manipulim të nacionalizmit për të shpërqendruar votuesit në zgjedhjet e mëvonshme të këtij viti nga dështimet e tij politike.
Korrupsioni i thellë
Klasa politike e Bosnjës ka dështuar në lidhjen e shkurtër të qeverisjes jofunksionale. Ambasadori i Britanisë së Madhe, Matt Field, postoi kritika shkatërruese për korrupsionin e thellë dhe politikën “pa pasoja” në një blog të fundit. Ai dënoi mënyrën se si individët e fuqishëm mund t’i vidhnin paratë publike, t’i bllokonin reformat, t’i lavdëronin kriminelët e luftës, t’i manipulonin zgjedhjet dhe ta mohonin drejtësinë.
E gjithë kjo e ka bërë të pamundur daljen e Bosnjë-Hercegovinës nga e kaluara. Është gjakderdhje e të rinjve që janë ngopur nga varret, kujtimet dhe korrupsioni. Nga 50 deri në 60.000 emigrojnë çdo vit, kryesisht në Gjermani, Austri dhe Slloveni.
OKB-ja ka vlerësuar se nëse vazhdon kështu, popullsia e Bosnjës prej pak më shumë se tre milionë mund të përgjysmohet deri në vitin 2050.
Rreziku tani nuk është që Bosnja të shpërthejë në luftë të gjithanshme siç ndodhi në vitin 1992. Infrastruktura ushtarake për të luftuar në atë shkallë nuk ekziston. Megjithëse, në një atmosferë të infektuar me frikë dhe urrejtje, incidentet e vogla mund të përshkallëzohen shpejt.
Paqëndrueshmëria dhe autoritarizmi kanë mbjellë pasiguri në disa pjesë të Evropës. Disa diplomatë në Sarajevë shohin mundësi në Ballkanin Perëndimor që Rusia të bëjë ndonjë ligësi. Njëri prej tyre më tha ta merrja seriozisht këtë moment të rrezikshëm. Bosnja, tha ai, është një shtet me stres post-traumatik dhe me armë.
Përktheu: Blerta Haxhiu