Botë

Franca prezanton projektligjin për eutanazinë

Emmanuel Macron - presidenti i Frances

Qeveria e Francës ka prezantuar një projektligj të mërkurën që lejon të rriturit me kancer në fazën terminale ose sëmundje të tjera të pashërueshme, që të marrin ilaçe vdekjeprurëse, pas rritjes së kërkesave të publikut për ofrimin e mundësi ligjore për eutanazi, raporton agjencia e lajmeve “Associated Press”.

Shumë francezë kanë udhëtuar në vendet fqinje për të kërkuar ilaçe të tilla ku eutanazia është e ligjshme.

Presidenti francez, Emmanuel Macron ka premtuar prej kohësh një projektligj të tillë.

Për të përfituar nga masa e propozuar rishtazi, pacientët duhet të jenë mbi 18 vjeç dhe të jenë shtetas francezë ose të jetojnë në Francë, ka thënë ministrja e Shëndetësisë, Catherine Vautrin.

Një ekip profesionistësh shëndetësorë duhet ta konfirmojnë që pacienti ka sëmundje të rëndë dhe të pashërueshme, që vuan nga dhimbje të papërballueshme e të patrajtueshme dhe që e kërkon eutanazinë me vullnetin e tij të lirë.

Pacientët me gjendje të rëndë psikiatrike apo çrregullime neurodegjenerative si sëmundja e Alzheimerit nuk do të kenë të drejtë ligjore për eutanazi.

Nëse miratohet, mjeku do të japë recetën, e vlefshme për tre muaj, për ilaçin vdekjeprurës.

Njerëzit do të jenë në gjendje të marrin ilaçin në shtëpinë e tyre, në shtëpi pleqsh ose në ndonjë institucion të kujdesit shëndetësor, ka thënë Macron.

Projektligji pritet të kalojë në parlament për debat.

Sipas një raporti të vitit të kaluar, shumica e qytetarëve francezë mbështesin legalizimin e opsioneve për t’i dhënë fund jetës.

Eutanazia aktualisht është e ligjshme në Holandë, Belgjikë, Luksemburg dhe Spanjë në kushte të caktuara.