Franca ka nisur votimet të dielën në zgjedhjet parlamentare që mund të bëjnë histori, me të djathtën ekstreme më afër pushtetit se sa ka qenë ndonjëherë në kohët moderne.
“Tubimi Kombëtar” (RN) i Marine Le Pen dhe Jordan Bardellas është shumë përpara në sondazhe - tri javë pas ditës që kur fituan zgjedhjet evropiane dhe presidenti Emmanuel Macron reagoi duke thirrur një votim kombëtar, raporton BBC.
Më shumë se 2.6 milionë njerëz nga 49 milionë votuesit e Francës janë regjistruar për të votuar me prokurë, një tregues i pjesëmarrjes së lartë që pritet për një zgjedhje kaq të rëndësishme.
Këto janë zgjedhje me dy runde dhe shumica e 577 vendeve të Asamblesë Kombëtare nuk do të vendosen deri në balotazhin e rundit të dytë të dielën e ardhshme.
Fushata zgjati vetëm 20 ditë dhe nga kjo përfitoi gjithashtu RN, e cila shpejt rafinoi premtimet e saj ekzistuese për imigracionin, pasigurinë si dhe uljen e taksave për të trajtuar krizën e kostos së jetesës.
Jordan Bardella dëshiron të jetë kryeministri i parë nga RN-ja dhe partia e tij ka besim se do të fitojë dhjetëra zona elektorale plotësisht në rundin e parë.
Por ai thotë se do ta marrë këtë detyrë vetëm nëse partia siguron një shumicë absolute parlamentare prej 289 vendesh.
Sapo të dalin rezultatet e para të dielën në mbrëmje, kundërshtarët e “Tubimit Kombëtar” do të duhet të vendosin se kë do të mbështesin në betejat e balotazhit në të gjithë Francën, në një përpjekje për të siguruar që shumica absolute të mos ndodhë.
Nëse sondazhet dalin të sakta, shumë nga balotazhet do ta përballin Tubimin Kombëtar kundër një aleance të krahut të majtë të bashkuar të quajtur “Fronti i Ri Popullor”, i cili beson se mund të fitojë edhe zgjedhjet.
Në zgjedhjet e mëparshme, partitë nga i gjithë spektri janë bashkuar për të mbajtur jashtë ekstremin e djathtë.
Por drejtuesit e RN-së kanë punuar shumë për vite me radhë për të zhdukur imazhin e tyre ekstremist.