Zyrtarët francezë të martën kanë deklaruar se disa burgje kanë qenë cak i incidenteve ku ishin të përfshira armët e zjarrit dhe po ashtu i zjarrvënieve të qëllimshme në atë që ata e përshkruan si një përgjigje ndaj përpjekjeve të reja të Qeverisë që ta luftojë trafikimin e drogës, ka raportuar agjencia e lajmeve “AP”.
Në incidentin e fundit, gjatë natës të së hënës është përdorur një armë automatike ndaj burgut në qytetin port të Toulonit, që gjendet në jug të Francës. Askush nuk është lënduar. Në vendet e tjera, janë djegur veturat jashtë burgjeve.
Ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin ka shkruar në rrjetin social “X” se “janë bërë përpjekje për ta frikësuar stafin në disa burgje”. Dhe shtoi se masat kundër trafikimit të drogës do të pengojë shumë rrjetet kriminale. Ai i ka cilësuar sulmet e fundit si terroriste.
Ministri i Brendshëm, Bruno Retailleau ka shkruar në rrjetin “X” se ka udhëzuar autoritetet dhe policinë t’i rrisin masat e sigurisë për ta mbrojtur stafin e burgjeve.
Sulme ndaj burgjeve janë raportuar edhe në rajonin e Parisit dhe në Marseille.
Sekretari i Unionit Kombëtar, Wilfried Fonck, ka deklaruar se është diçka që është e organizuar, koordinuar dhe që synon t’i terrorizojë stafet e burgjeve.
Autoritetet franceze gjatë muajve të fundit kanë vendosur t’i rrisin përpjekjet kundër trafikimit të drogës, me fokus ndaj kokainës, të cilën ministri i Brendshëm e ka përshkruar si një “cunami” që po përmbyt vendin.
47 tonë kokainë janë kapur në vitin 2024, më shumë se dyfishi i totalit të vitit të kaluar.