Botë

Franca, Gjermania, Italia dhe Britania e Madhe mbështesin planin arab për rindërtimin e Gazës

Gaza

Ministrat e Jashtëm të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe kanë thënë të shtunën se mbështesin planin e Egjiptit për rindërtimin e Gazës që do të kushtonte 53 miliardë dollarë dhe do të shmangte zhvendosjen e palestinezëve nga enklava.

“Plani tregon një rrugë realiste drejt rindërtimit të Gazës dhe premton – nëse zbatohet – përmirësim të shpejtë dhe të qëndrueshëm të kushteve katastrofike të jetesës për palestinezët që jetojnë në Gaza”, kanë thënë ministrat në një deklaratë të përbashkët, raporton Reuters.

Plani, i cili u hartua nga Egjipti dhe u miratua nga udhëheqësit arabë të martën, është hedhur poshtë nga Izraeli dhe nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili ka paraqitur vizionin e tij për ta kthyer Rripin e Gazës në një “rivierë të Lindjes së Mesme”.

Propozimi egjiptian parashikon krijimin e një komiteti administrativ të teknokratëve të pavarur, profesionistë palestinezë, të cilëve u është besuar qeverisja e Gazës pas përfundimit të luftës në Gaza midis Izraelit dhe grupit militant palestinez Hamas.

Komiteti do të jetë përgjegjës për mbikëqyrjen e ndihmës humanitare dhe menaxhimin e punëve të Rripit për një periudhë të përkohshme nën mbikëqyrjen e Autoritetit Palestinez.

Në deklaratën e lëshuar nga katër vendet evropiane të shtunën thuhet se janë të përkushtuara për të punuar me iniciativën arabe dhe vlerësuan “sinjalin e rëndësishëm” që shtetet arabe kishin dërguar duke e zhvilluar atë.

Sipas deklaratës, Hamasi “nuk duhet të qeverisë me Gazën dhe as të jetë kërcënim për Izraelin”.