Botë

Franca dyshon se Rusia qëndron prapa vendosjes së arkivoleve te Kulla e Ajfellit

Kulla e Ajfellit - policia

Foto: Getty

Zyrtarët e inteligjencës së Francës besojnë se Rusia qëndron prapa ngjarjes të së shtunës te Kulla e Ajfellit, ku janë vendosur pesë arkivole të mbështjella me flamuj francezë dhe me mbishkrimin “ushtarët francezë të Ukrainës”, raporton “BBC”. 

Tre  burra janë parë duke arritur me furgon rreth orës 9 të shtunën. Arkivoltë që ata lanë më vonë u gjetën se kishin thasë me allçi. Policia kapi me shpejtësi shoferin që pretendoi se ishte paguar 40 euro nga dy të tjerë për t’i transportuar arkivolet. Ai vetë kishte arritur në Paris vetëm një ditë më parë nga Bullgaria. 

Më vonë, policia i kapi edhe dy të tjerë në stacionin e autobusëve Bercy në qendër të Parisit. Ata po synonin të hipnin në një autobus për në Berlin. 

Ata i thanë policisë se ishin paguar 400 euro për t’i dorëzuar arkivolet, sipas mediumeve franceze. 
Policia tha se shoferi ishte bullgar dhe dy të tjerë ishin ukrainas e gjerman. 

Ata u dërguan para në gjykatë, përpara hapjes së pritshme të hetimeve gjyqësore, ka thënë Prokuroria. 
Zyrtarët thonë se hetimet kanë nisur për të parë nëse ishte veprim i organizuar nga jashtë. 

Rasti kujton dy episode të fundit në të cilat policia franceze beson se janë përfshirë agjentët rusë. Të dyja rastet duke tentuar të manipulohet opinioni publik.

Në tetor – jo shumë kohë pasi Hamasi kreu një sulm të paprecedentë mbi Izraelin, gjatë të cilit u vranë 1200 persona e u morën qindra pengje – yjet e Davidit që të kujtojnë flamurin izraelit u vendosën në disa mure në Paris. 

Një çift moldav u arrestua, për të cilët zyrtarët francezë besojnë se ishin paguar nga inteligjenca ruse. 

Muajin e kaluar, duart e kuqe u pikturuan në një memorial të Holokaustit në Paris, dhe policia beson se autorët ikën jashtë vendit. 

Sipas gazetës “Le Monde”, një nga individët e ndaluar të shtunën kishte qenë në kontakt telefonik me një të dyshuar bullgar për rastin në memorialin e Holokaustit në Paris. “Le Monde” tha se ky i dyshuar ishte 34-vjeçari Georgi F. 

Moska reagoi ashpër muajin e kaluar pasi presidenti i Francës, Emmanuel Macron, nuk po e përjashton mundësinë që të dërgojë ushtarë në Ukrainë.