Botë

Franca do të vendosë rreth 30 mijë policë në terren gjatë rundit të dytë të zgjedhjeve të dielën

Policia franceze

Policia franceze

Foto: Associated Press

Rreth 30,000 policë do të vendosen në të gjithë Francën të dielën në rundin e dytë të zgjedhjeve parlamentare, për të siguruar që të mos ketë telashe, ka thënë një ministër, pasi dy kandidatë thanë se kishin qenë viktima të sulmeve në fushatën elektorale.

Rundi i dytë i së dielës do të përcaktojë nëse “Tubimi Kombëtar” (RN) i ekstremit të djathtë të Marine Le Pen siguron një shumicë parlamentare për herë të parë dhe formon qeverinë e ardhshme në Francë, ekonomia e dytë më e madhe në euro zonë, raporton Reuters.

Fushata është dëmtuar nga tensionet politike, por edhe nga disa raste të dhunës. Zëdhënësja e qeverisë, Prisca Thevenot ka deklaruar se ajo dhe ekipi i saj ishin sulmuar nga një grup i vogël të rinjsh të mërkurën në mbrëmje teksa po vendosnin postera të fushatës.

Ndërsa vetë Thevenot nuk u dëmtua, zëvendësi i saj dhe një aktivist i partisë u lënduan nga grupi i paidentifikuar prej rreth 10 të rinjsh që po largonin posterët e fushatës, ka deklaruar Thevenot për gazetën Le Parisien.

Një kandidate e RN-së në Savoie, Marie Dauchy, ka thënë gjithashtu se ajo ishte sulmuar nga një shitës në një treg të mërkurën.

Ministri i Brendshëm Gerald Darmanin ka deklaruar se katër persona ishin arrestuar në lidhje me sulmin ndaj ekipit të Thevenot.

Darmanin ka thënë se do të ishte "shumë i kujdesshëm" për sigurinë të dielën në mbrëmje, kur do të shpallen rezultatet e zgjedhjeve.

“Rreth 5,000 nga 30,000 policë të dislokuar atë mbrëmje do të vendosen në Paris dhe rrethinat e tij, dhe ata do të sigurojnë që e djathta radikale dhe e majta radikale të mos përfitojnë nga situata për të shkaktuar kaos", ka deklaruar ai për France 2 TV.

Një sondazh i së mërkurës zbuloi se përpjekjet e partive kryesore për të bllokuar të djathtën ekstreme nga arritja e shumicës absolute mund të funksionojnë.

Sondazhi i “Harris Interactive” për revistën Challenges tregoi se RN-ja e njohur për politikat kundër imigracionit dhe si një parti euroskeptike, dhe aleatët e saj, do të merrnin vetëm 190 deri në 220 vende në asamblenë prej 577 anëtarësh, ndërsa republikanët e qendrës së djathtë (LR) do të fitonin 30 deri në 50 vende. Kjo mund të përjashtojë mundësinë e një qeverie të pakicës së ekstremit të djathtë të mbështetur nga një pjesë e grupit parlamentar të LR.

Sondazhi u publikua pasi më shumë se 200 kandidatë në të gjithë spektrin politik tërhoqën kandidaturat e tyre për t'i hapur rrugën kujtdo që ishte në gjendje më të mirë për të mundur kandidatin e RN-së në qarkun e tyre, në një proces të njohur si "fronti republikan".