(AP) - Presidenti francez, Emmanuel Macron do të nënshkruajë një marrëveshje dypalëshe të sigurisë me presidentin ukrainas Volodymyr Zelenksyy i cili do të qëndrojë në Paris, si pjesë e një udhëtimi me ç ‘rast planifikohet edhe një vizitë në Gjermani, ka njoftuar presidenca franceze në një deklaratë.
Nuk janë dhënë detaje konkrete për marrëveshjen që do të nënshkruhet në pallatin presidencial të Elyseesë.
Macron ka theksuar në fillim të këtij viti se Franca po negocionte një marrëveshje dypalëshe për modelin që Ukraina kishte rënë dakord së fundmi me Mbretërinë e Bashkuar, e cila përfshin 10 vjet.
Kjo do të jetë vizita e tretë e Zelenskyyt në Paris qëkur Rusia pushtoi Ukrainën dy vjet më parë.
Presidenca franceze ka bërë të ditur se vizita do të jetë një mundësi për Macronin që të riafirmojë vendosmërinë e Francës për të vazhduar me mbështetjen e palëkundur për Ukrainën dhe popullin e saj.
Te dy liderët do të diskutojnë për situatën në vijën e frontit, nevojat ushtarake, ekonomike dhe humanitare të Ukrainës, si dhe negociatat mbi për përpjekjet e vendit që të bashkohet me Bashkimin Evropian, të cilat Franca i mbështet plotësisht, thuhet në deklaratë.
Zyra presidenciale e Ukrainës ka njoftuar se Zelenskyy do të vizitojë gjithashtu edhe Gjermaninë, ku do të takohet me kancelarin Olaf Scholz.
Ai gjithashtu do të marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut dhe do të zhvillojë takime dypalëshe në kuadër të margjinave të kësaj konferenceje, duke përfshirë nënpresidenten e SHBA-së Kamala Harris, presidentin çek Petr Pavel, kryeministren e Danimarkës Mette Frederiksen dhe kryeministrin e Holandës Mark Rutte.