Rusia ka lëshuar 96 dronë dhe tre raketa gjatë natës në orët e para të së hënës, duke goditur rajonet Kharkiv, Dnipropetrovsk dhe Cherkasy, kanë thënë forcat ajrore ukrainase.
Sipas njoftimit, njësitë e mbrojtjes ajrore kanë rrëzuar 42 dronë në lindje, veri, jug dhe qendër të vendit, ndërsa 47 kanë humbur në vendndodhje (pa pasoja negative), raportoi BBC-ja.
Forcat ajrore nuk kanë dhënë asnjë detaj për raketat, përveçse është thënë se një pati në shënjestër Khersonin dhe dy janë drejtuar në Mykolaiv.
Në një njoftim të befasishëm të shtunën, presidenti rus Vladimir Putin tha se do të kishte "armëpushim të Pashkëve", me një pauzë në të gjitha luftimet nga pasditja e së shtunës deri të dielën në mesnatë.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ra dakord për këtë armëpushim, duke shtuar se Ukraina do të "pasqyrojë" veprimet e Rusisë.
Por disa orë pas të ashtuquajturës pauzë në luftime, Zelensky tha se ka pasur sulme të shumta ruse dhe disa të tjera të dielën e Pashkëve.
Edhe nga Ministria ruse e Mbrojtjes është thënë se Kievi ka nisur sulme me dronë qindra herë.
Armëpushimi 30-orësh erdhi pasi SHBA-ja kërcënoi se nuk do të ndërmjetësonte bisedimet e mëtejshme të paqes Rusi-Ukrainë.