Forcat speciale ruse kanë arritur t’i lirojnë pengjet që u morën nga katër të burgosur që thanë se kishin lidhje me Shtetin Islamik. Ata kryen një sulm në një burg të sigurisë së lartë në Volgograd, që rezultoi me vdekjen e disa rojeve.
Garda Kombëtare e Rusisë ka thënë se snajperistët “likuiduan” katër pengmarrësit para se të hynin me forcë dhe të lironin pengjet.
Katër të burgosurit morën 12 pengje, shumica roje burgu.
Kaos në një burg rus - Një grup të burgosurish nisin sulm, marrin peng rojet
Një grup të burgosurish kanë marrë pengje në një burg në rajonin jugor të Rusisë, Volgograd, të premten, dhe kanë vrarë të paktën një person nga stafi.
“Gjatë një takimi të një komisioni disiplinor, të dënuarit morën peng personelin e institucionit. Masa po merren për lirimin e pengjeve. Ka të vdekur”, thuhet në deklaratën e shërbimit korrektues.
Në disa video që janë shpërndarë në Telegram janë parë të paktën tre pengmarrës me thika duke qëndruar mbi rojet e burgut që duken se janë të lënduar ose të vdekur.
Një prej pengmarrësve thotë në një prej videove se grupi i tyre është i lidhur me Shtetin Islamik. Sipas “Shot” – një kanal në Telegram me lidhje të ngushta me shërbimet ruse të sigurisë – pengmarrësit kanë kërkuar një helikopter dhe 2 milionë dollarë, raportoi The Guardian.
Mediat ruse kanë raportuar se shërbimet e sigurisë po përgatiten të futen në objekt.