Forcat ruse kanë marrë nën kontroll qytetin strategjik në jug të Ukrainës, Kherson. Këtë kanë bërë të ditur zyrtarët ukrainas, raporton “NYT”.
Khersoni është bërë qyteti i parë i madh ukrainas që ka rënën nën kontroll të forcave ruse, që kur nisi pushtimi të enjten e kaluar.
Kryebashkiaku i Khersonit, Igor Kolykhaev, ka konfirmuar se Khersoni është pushtuar.
“Nuk ka ushtri ukrainase këtu”, ka thënë Kolykhaev.
Ai ka shtuar se forcat ukrainase janë tërhequr nga qyteti në drejtim të Mykolaivit, një qytet në veriperëndim.
Khersoni, nujë qytet me afro 300 mijë banorë në afërsi të Detit të Zi, në veriperëndim të gadishullit Krimea, është parë si një pikë strategjike, pasi do të lejonte rusët të kontrollin më tepër bregun jugor të Ukrainës dhe të vazhdonin marshin drejt Odessas, një port i madh.
Kryebashkiaku ka konfirmuar se një grup i 10 ushtarëve rusë të armatosur, përfshirë një komandues i forcave që po sulmojnë qytetin, është futur të mërkurën në ndërtesën e Komunës. Ai ka thënë se është njoftuar se planifikojnë të krijojnë një administratë të re të ngjashme me dy rajonet separatiste në lindje të Ukrainës, Donetzku e Luhansku.
Dyshohet se afro 300 persona, civilë dhe forca territoriale të mbrojtjes, janë vrarë nga sulmet në Kherson. Pasi që forcat ruse kanë përdorur armë të kalibrit të rëndë, shumë trupa është vështirë të identifikohen, ka thënë kryebashkiaku.
“Unë kam sjellë vullnetarë për të ndihmuar që të mblidhen trupat dhe po i varrosim menjëherë, pasi shumë trupa janë të shkatërruar tërësisht”, tha ai.
Ushtria ruse të mërkurën kishte treguar se ka marrë nën kontroll Khersonin, mirëpo autoritetet rajonale të qytetit kishin thënë se ende e kanë qytetin nën kontroll dhe se qyteti është i rrethuar.