Botë

Forcat izraelite thonë se kanë gjetur trupat e tri pengjeve në Gaza

Pengjet trupat e të cilëve janë gjetur

Pengjet trupat e të cilëve janë gjetur

Ushtria izraelite ka gjetur trupat e tri pengjeve në Gaza, kanë bërë të ditur Forcat Izraelite të Mbrojtjes (IDF).

Trupat janë të Shani Louk, Amit Buskila dhe Itzhak Gelerenter, sipas IDF-së, e cila ka shtuar se ata janë vrarë më 7 tetor dhe janë mbajtur që atëherë në Gaza, raporton BBC.

Mediat lokale kanë raportuar se trupat janë gjetur në një tunel të Hamasit.

Rreth 1,200 njerëz janë vrarë në një sulm të paprecedentë të militantëve të Hamasit në jug të Izraelit, më 7 tetor. Ata morën po ashtu rreth 252 pengje.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu e ka quajtur lajmin për trupat e pengjeve “zemërthyes”.

“Ne do t’i kthejmë të gjitha pengjet tona, ata që jetojnë ende dhe të vdekurit”, ka deklaruar Netanyahu. 

Njëra nga viktimat, Shani Louk është me nënshtetësi gjermano-izraelite, derisa në tetor, nëna e saj kishte deklaruar se ushtria izraelite ia kishte konfirmuar se vajza e saj ka vdekur, pasi kishte gjetur një pjesë të kockës së kafkës së saj.

Pavarësisht kësaj, shpresohej se dy viktimat e tjera, Amit Buskila dhe Itzhak Gelerenter mund të ishin të gjallë. 

Buskila ishte një stiliste mode dhe infuencere e rrjeteve sociale, e cila kishte qenë duke folur në telefon me xhaxhanë e saj derisa po përpiqej të fshihej kur ishte kidnapuar më 7 tetor.

Ndërkaq, Gelerenter ishte baba dhe gjysh, i cili kishte arritur në festivalin Nova ku edhe është kidnapuar, vetëm disa orë para se të niste sulmi.