Botë

Forcat izraelite gjejnë edhe tre trupa pengjesh në Gaza

Pengjet e gjetura

Pengjet e gjetura

Trupat e tri pengjeve të tjera të marra nga Hamasi, janë gjetur në Jabalya, në veri të Gazës, ka bërë të ditur ushtria izraelite të premten.

Sipas njoftimit, tri pengjet ishin marrë nga grupi në sulmin e 7 tetorit në jug të Izraelit, raporton CNN.

Tri viktimat janë identifikuar si Hanan Yablonka, Michel Nisenbaum, dhe Orion Hernandez, sipas Forcave Izraelite të Mbrojtjes (IDF). Autoritetet tashmë i kanë njoftuar familjet e tyre.

Pengjet janë gjetur gjatë një operacioni të ushtrisë në Jabalya gjatë natës.

“Në fillim të operacionit, luftime intensive u kryen në zonë”, ka deklaruar IDF-ja.

Edhe javën e kaluar ushtria kishte gjetur trupat e tri pengjeve, njëra prej të cilave ishte me shtetësi gjermano-izraelite.

Izraeli e ka nisur luftën në Gaza pas sulmit të Hamasit më 7 tetor në Izrael, gjatë të cilit militantët e tij kanë vrarë 1200 persona dhe kanë marrë peng më shumë se 250 të tjerë.

Edhe 121 pengje po vazhdojnë të mbahen në Gaza. 

Më shumë se 35,000 palestinezë janë vrarë në Gaza nga sulmet izraelite, sipas të dhënave të ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

LEXO EDHE: