Botë

FMN-ja zotohet ta rikthejë Sirinë në tregtinë botërore

Kristalina Gerogieva

Fondi Monetar Ndërkombëtar planifikon të punojë me Sirinë për ta ndihmuar të riintegrohet në ekonominë botërore, ka deklaruar shefja e FMN-së, Kristalina Gerogieva të enjten, ka raportuar agjencia e lajmeve “Reuters”.

Georgieva shtoi se guvernatori i Bankës Qendrore të Sirisë dhe ministri i Financave këtë javë kanë marrë pjesë në takimet e pranverës të FMN-së dhe Bankës Botërore, për herë të parë në 20 vjet.

“Qëllimi ynë është që në fillim dhe para së gjithash, t’u ndihmojmë atyre të rindërtojnë institucionet që ata të mund të fusin veten në ekonominë botërore”, ka thënë ajo.

Zyrtarë nga FMN-ja dhe Banka Botërore janë takuar me zyrtarë sirianë dhe ministra të tjerë të jashtëm për ta diskutuar rindërtimin e vendit gjatë takimit në Washington.

Pjesa më e madhe e infrastrukturës në Siri është shkatërruar nga lufta 14 vjeçare që filloi pas reagimeve vdekjeprurëse të qeverisë ndaj protestave kundër ish-presidentit Bashar al-Assad.

Qeveria e tanishme islamike që e mori pushtetin pas rënies së Assadit, ka shprehur zotimin për t’i rindërtuar lidhjet e Sirisë në rajon dhe më larg dhe të fitojë përkrahje në përpjekjet për rindërtim.