Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) e ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike botërore për këtë vit dhe vitin 2026, si pasojë e problemeve të shkaktuara nga lufta tregtare e presidentit amerikan Donald Trump, ka raportuar “The Guardian”.
FMN-ja tani është duke parashikuar se rritja ekonomike në të gjithë botën do të bjerë në 2.8% këtë vit, nga 3.3% sa ishte vitin e kaluar, e ndjekur me 3% rritje në vitin 2026. Në janar Fondi kishte parashikuar një rritje prej 3.3% në vitin 2025 dhe 2026.
Sipas tyre fajtori kryesor janë ndikimet direkte të masave të reja tregtare, të nxitura nga tarifat e presidentit amerikan Donald Trump dhe efektet e tyre indirekte përmes përhapjeve të lidhjeve tregtare, duke shtuar edhe pasigurinë në rritje.
“Përshkallëzimi i shpejt i tensioneve tregtare dhe pasiguria shumë e madhe e politikave të nivelit më të lartë pritet të kenë ndikim të madh në aktivitetin ekonomik global”, kanë deklaruar nga FMN-ja.
Rritja në ekonomitë e avancuara tani projektohet që do të jetë 1.4% në vitin 2025, gjysmë për qind më pak se ishte parashikuar në janar.
Raporti po ashtu shfaq se si Donald Trump e ka rritur nivelin e tarifave të SHBA-së në nivelin më të lartë në mbi 100 vjet – mbi nivelet që ishin gjatë Depresionit të Madh.
Parashikimi i tyre tregon se të gjitha ekonomitë e mëdha do të goditen, me Britaninë e Madhe që pritet të rritet 1.1% këtë vit, nga 1.6% sa parashikohej në janar. FMN-ja pret që SHBA-ja të preket më së shumti nga 2.7% në 1.8%.